Arbëri

Danimarka e ka prioritet zgjerimin e BE-së, por suksesi nuk varet nga ajo

Bashkimi Evropian

Foto: Associated Press

Ambasadori i Danimarkës në Bashkim Evropian, Carsten Jensen, nuk është përgjigjur direkt në pyetjen se a do ta shqyrtojnë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në BE. Por, në mënyrë të përgjithshme ka thënë se gjithçka në zgjerim varet nga ekzistimi i konsensusit në mesin e të gjitha vendeve anëtare.

Danimarka e ka marrë më 1 korrik kryesimin e radhës së Bashkimin Evropian, duke e vendosur në fokus sigurinë, menaxhimin e migrimit, por si prioritet ka përmendur edhe procesin e zgjerimit të BE-së. Këtë e ka konfirmuar edhe përfaqësuesi i përhershëm i  Danimarkës në BE, ambasadori Carsten Jensen, duke folur në një takim me gazetarët në Bruksel të organizuar nga Asociacioni Ndërkombëtarë i Gazetarëve.

Duke thënë se procesi i zgjerimit ka qenë disi sikur në gjumë, ndërsa agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës ka krijuar një moment të ri, më pozitiv për zgjerimin. Ai tha se nga aspekti ligjor në proces mund të avancohet vetëm nëse ka pajtim nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Përgjigje të njëjtë ambasadori i Danimarkës ka dhënë edhe kur është pyetur për Kosovën, dhe nëse vendi i tij planifikon që gjatë kryesimit të radhës me BE-në ta vë në shqyrtim kërkesën e Kosovës për anëtarësim në BE.

Ambasadori i Danimarkës ka thënë se vendi i tij ka ambicie për avancim në procesin e zgjerimit, por suksesi nuk do të varet nga kryesuesi i radhës, sepse është një proces ku mund të avancohet vetëm nëse ka pajtim nga të gjitha vendet anëtare. Ai ka thënë se ka gjasa që të ketë më shumë avancim për disa vende nga procesi i zgjerimit për të cilat nuk ka kundërshtim, nga asnjë anëtar i Bashkimit Evropian.

Kosova ka dorëzuar kërkesën për anëtarësim në BE në dhjetorin e vitit 2022, kur kryesimin e kishte Çekia. Por, kërkesa e Kosovës nuk është shqyrtuar fare nga ana e vendeve anëtare të BE-së. Komisioni Evropian ndërkohë është shprehur i gatshëm ta nisë punën në përpilimin e mendimit edhe për Kosovën nëse Këshilli, pra vendet anëtare, e kërkojnë një gjë të tillë.

Si pengesë për Kosovën, përpos faktit se nuk është njohur nga 5 vende anëtare të BE-së, përmendet edhe pritja që të ketë progres konkret në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.

Ka edhe vende tjera në procesin e zgjerimit të BE-së, avancimi i të cilave po mbahet peng nga bllokadat e ndonjë vendi anëtar. Kështu Hungaria e ka bllokuar hapjen e kapitullit të parë në procesin e negociatave me Ukrainën ndërkohë që Bullgaria mban akoma të bllokuar Maqedoninë e Veriut. Gjatë kryesimit të Polonisë me BE-në, më së shumti ka avancuar Shqipëria në procesin e zgjerimit duke arritur në 24 numrin e kapitujve të hapur.

Pikërisht më 1 korrik janë mbushur 12 vjet prej kur Kroacia u bë anëtare e BE-së, që ishte edhe zgjerimi i fundit i bllokut. Nuk ka ndodhur asnjëherë në histori që të kalojmë kaq shumë vite pa pasur zgjerim të BE-së me anëtarë të rinj.