Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Curri: Shumë raste të dhunimit janë pa dëmtime trupore, dhunuesit tentojnë të mos lënë gjurmë

Specialistja në Mjekësinë Ligjore, Bergita Curri, ka treguar se dëmet fizike te personat që bien pre e dhunës seksuale, veçanërisht personat e mitur, janë shumë të mëdha dhe mund të pasojnë edhe me probleme me gjakderdhje, e te gratë edhe me shtatzëni në të ardhmen.

E ftuar të martën në emisionin 60 Minuta në KTV, Curri ka thënë se te moshat e mitura problemi është shumë i madh pasi shkaktohet traumë e madhe psikike, gjë që mund të ndikojë që viktima kurrë të mos jetë i gatshëm të krijojë raport të shëndoshë dhe të ketë marrëdhënie seksuale apo të mbartë fëmijë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Trauma psikologjike që krijohet te personi është shumë e madhe dhe gjasat që të mbetet traumë e përjetshme është janë të mëdha”, ka shtuar ajo.

Ajo ka shtuar se te një numër i madh i rasteve të dhunës seksuale, nuk gjendet fare dëmtime trupore, pasi dhunuesit tentojnë të mos lënë gjurmë.

“Te një numër i madh i rasteve të dhunës seksuale, nuk gjejmë fare dëmtime trupore. Ato gjenden diku në rreth 30 për qind të rasteve, numri më i madh i rasteve dëmtimet nuk janë në regjionin e organeve gjenitale, kryesisht janë në kokë, në pjesën e sipërme të kraharorit, në fytyrë apo në qafë, vetëm në 16 për qind të rasteve statistikisht llogaritët që ka dëme në rajonin e organeve gjenitale. Pavarësisht moshës këto janë të dhënat që kanë dalë prej hulumtimeve shkencore. Te mosha e të miturve mundësia e të pasurit dëmtim në regjionin e organit gjenital është më e madhe, por duhet pasur parasysh që dhunuesi tenton të mos lë gjurmë. Ata tentojnë ta kryejnë aktin e të mos lënë gjurmë”, është shprehur ajo.

Më tej Curri ka kujtuar edhe një rast kur një djalë moshës 9-vjeçare, i cili ka qenë viktimë e dhunës seksuale e që përveç asaj, dhunuesi e ka detyruar të konsumojë edhe substanca narkotike.

“Jo vetëm vajzat por kemi pasur rast kur edhe djemtë e mitur kanë qenë viktima të dhunës seksuale, p.sh. një rast që unë e kujtoj, ne e kemi parë viktimën pasi që ngjarja është përsëritur për një kohë të gjatë dhe përveç dhunimit, personi i ka dhënë djaloshit të mitur edhe substanca narkotike dhe fëmija kur ka ardhur në ekzaminim ka qenë nën efektin e substancave narkotike. Fëmija ka qenë rreth 8-9 vjeç”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar se nevojitet një institucion i dedikuar trajtimin psikologjik dhe psikiatrik të viktimave të dhunës seksuale dhe familjarëve të tyre.

Sa i përket dënimit të dhunuesve, Curri ka kritikuar organet shtetërore, duke thënë se ka raste kur personi që e ka kryer këtë vepër penale është gjobitur vetëm me gjobë, gjë që nuk parashihet me Kod Penal.

“Kam parë raste të dënimit me gjobë dhe me kusht që fare nuk i parasheh Kodi Penal, e kam të paqartë se ku është gjetur baza ligjore për të dhënë dënim me gjobë në një rast dhunimi. Kemi parë që një numër i vogël i rasteve të dhunës seksuale dënohen me burgim, por edhe ata që dënohen, nuk dënohen me lartësinë që e parasheh Kodi Penal, parashihet burgim me tri vjet, ndërsa ne kemi parë dënime me 6-7 muaj”, ka thënë ajo.