Arbëri

Cramon: Putini e shfrytëzoi dobësinë tonë, okupimi rus s’do të ketë sukses

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, deklaroi se presidenti rus, Vladimir Putin, e përdori dobësinë e SHBA-së dhe të BE-së, për ta sulmuar Ukrainën. Ajo tha se kjo u dëshmua me largimin e forcave amerikane nga Afganistani, e kjo sipas saj, i dha Putinit bindje se ishte rast i mirë për ta shfrytëzuar këtë dobësi.

“Tregoi se sa të paorganizuara ishin forcat e NATO-s në Afganistan, dhe kjo me gjasë i dha z. Putin bindjen se do të ishte rast i mirë për ta shfrytëzuar këtë dobësi të SHBA-së dhe BE-së dhe të angazhonte fuqi sa më të madhe ushtarake për ta pushtuar Ukrainën”, tha ajo.

Zyrtarja e Bashkimit Evropian deklaroi se lufta në Ukrainë mund të jetë e gjatë dhe e përgjakshme po aq sa lufta e Bashkimit Sovjetik me Afganistanin, por sipas saj, Rusia nuk do të ketë sukses.

“Mund të jetë një pushtim mizor dhe brutal, porse okupimi nuk do të jetë i suksesshëm. Tash edhe mund ta gjymtojë Ukrainën, por kjo që po e shoh nga popullata ukrainase, se sa të përkushtuar janë për ta flijuar veten, e janë mbi 40 milionë banorë, e ka plot që po kthehen nga shtetet e tjera, do të jetë shumë vështirë ta mbajë shtetin e aneksuar në Federatën Ruse”, shtoi Cramon në Interaktiv të KTV-së.

Sipas Cramon, lufta në Ukrainë është mundësi për ringjalljen e unitetit mes fuqive perëndimore, ndërsa tha se po të ishte në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, situata do të ishte ndryshe.

“Po të ishte Trumpi në krye, do ta kishim një skenar krejt tjetër dhe e besoj se në këtë do të ketë llogaritur z. Putin: mosuniteti në Evropë dhe përkrahje të pamjaftueshme nga SHBA-ja dhe më pak rezistencë nga ukrainasit. Po besoj se ka dashur ta gllabërojë dhe e nisi një Blic-Krieg për ta pushtuar Kievin për dy ditë dhe kjo natyrisht nuk i funksionoi, dhe tash përpiqet të vijë nga jugu për t’i rrethuar qytetet më të mëdha, për t’i futur në shtetrrethim dhe për t’u shkaktuar uri e panik civilëve, që është gjëja më e keqe që mund ta parafytyroni. Porse do të shohim se si dhe deri ku do të shkojë”, tha tutje ajo.

Raportuesja për Kosovën Viola von Cramon, deklaroi se sulmi rus ndaj Ukrainës, do të mund të parandalohej në vitin 2014, kur Rusia kishte nisur aneksimin e Krimesë. Sipas saj, kjo do të bëhej me vendosjen e sanksioneve.

“Ta parandalosh një sulm ndaj Ukrainës nënkupton se do të duhej t’i kishim dhënë një sinjal presidentit Putin më 2004-n kur e pushtoi Ukrainën për herë të parë, kur e okupoi një pjesë të Donbasin dhe e aneksoi Krimenë, atëherë ka qenë momenti kur duhej zbatuar sanksione dhe njëkohësisht të shpërndahej shumë armatim që do ta bënte dallimin për ushtarët dhe luftëtarët në Ukrainë. Por atëherë Bashkimi Evropian ngurroi shumë dhe natyrisht, një nga dobësitë tona është varshmëria jona nga nafta, gazi e madje edhe qymyri rus – jemi shumë të varur nga këto dhe tash kjo vjen me një çmim tepër të lartë dhe duhet t’i bëjmë të gjitha përnjëherë. Duhet të dërgojmë armatim të rëndë në Ukrainë, duhet t’i vendosim në veprim të gjitha sanksionet edhe duhet ta transformojmë sektorin tonë të energjisë nga fosile në të ripërtërishme. Dhe së bashku me të gjitha shtetet anëtare, ky është një proces shumë i vështirë”.