Arbëri

Çitaku: Verës, reduktime 6 me 2, po dimrit?

Nenkryetarja e PDK-se, Vlora Citaku

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar pas paralajmërimit të KEDS-it se nga e hëna do të ketë reduktime të energjisë elektrike në Kosovë.

Çitaku ka thënë se orari i reduktimeve 6-2 gjatë verës, kur niveli i konsumit është i ulët, tregon se me çfarë do të përballet Kosova gjatë muajve të dimrit këtë vit.

Ajo ka kërkuar përgjegjësi për, siç thotë ajo, sabotime të projekteve që do të rrisnin pavarësinë energjetike të vendit.

“6-2 orari i reduktimeve në mes të Gushtit, kur niveli i konsumit është i ultë. Mund ta marrim me mend se si do të jetë dimri në Kosovë këtë vit. Dikush duhet me dhanë përgjegjësi për sabotimet e njëpasnjëshme të secilit projekt i cili do të rriste pavarësinë energjetike të Kosovës”, ka shkruar Çitaku të hënën në Facebook.

Sipas saj, sigurimi i energjisë është çështje e sigurisë kombëtare, për çka duhet të punohet nga institucionet.

“Këto janë betejat e vërteta, e jo luftërat imagjinare në kokën e Kryeministrit”, ka shtuar ajo.

KEDS-i përmes një komunikate për media të dielën, ka njoftuar se ka pranuar urdhëresë nga Qendra Nacionale Dispeçerike e Kosovës, pjesë e KOSTT-it, që të fillojë me kufizimet e energjisë elektrike nga ora 8:00 e mëngjesit të së hënës.

Sipas njoftimit, këto kufizime, në bazë të planit të dërguar do të jenë deri në 2 orë për të gjithë konsumatorët.

Konsumatorët gjatë së hënës do të kenë nga 6 orë energji elektrike dhe 2 orë kufizime.