Arbëri

Çitaku pyet Kurtin: Cili është zinxhiri i përgjegjësisë për 35-vjeçaren e vrarë

Nenkryetarja e PDK-se, Vlora Citaku

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka pyetur kryeministrin Albin Kurti, se cili është zinxhiri i përgjegjësisë që duhet të japë dorëheqje. Ajo shkroi në Facebook të enjten se Kosova aktualisht nuk ka ministër të Shëndetësisë, kryeprokuror dhe drejtor të Policisë.

“Kryeministër, Kosova nuk ka: ministër të Shëndetësisë, kryeprokuror, drejtor të Policisë. Ku e ndale zinxhirin e përgjegjësisë”, ka shkruar ajo.

Paraprakisht, kryeministri Kurti ka thënë se i gjithë zinxhiri i papërgjegjësisë në rastin e vrasjes së 35-vjeçares shtatzënë, duhet të japë dorëheqje. Ai ka paralajmëruar largimin e këtyre zyrtarëve.

“Zinxhiri që duhet (dorë)hequr. Sot pasdite kam aprovuar kërkesat e Grupit Ndërministror kundër dhunës në familje, pas takimit të sotëm të tyre, për rastin e vrasjes së Hamide Magashit dhe foshnjës së saj të palindur. Në bazë të përgjegjësive që mbartin institucionet përkatëse, po bëhet: inspektimi i punës së zyrtarëve policor, përfshirë zbatimin e urdhrit mbrojtës; inspektimi i punës së zyrtarëve në Qendrën për Punë Sociale; inspektimi i punës së zyrtarëve në repartin e gjinekologjisë në QKUK; ndarje urgjente e buxhetit për zbatim të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës; dhe, në rastet e caktimit të urdhrit mbrojtës të bëhet bastisje e shtëpisë së personit të dyshuar”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Aktualisht, Kosova nuk ka ministër të Shëndetësisë, pas dorëheqjes së Rifat Latifit, më 6 tetor të 2022-s. Ushtruese detyre e këtij posti është Dafina Gexha-Bunjaku.

Ndërsa, kryeprokurori i ri ende është nuk është zgjedhur, pas përfundimit të mandatit të Aleksandër Lumezit, më 21 prill 2022.

Këshilli Prokurorial kishte propozuar dekretimin e Blerim Isufajt për kryeprokuror, por presidentja Vjosa Osmani, ishte shprehur se është absurd dekretimi kur procesi është në gjykatë.

Ish-drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti, kishte dhënë dorëheqje më 30 gusht të 2022-s, pas dhunimit të një 11-vjeçareje në Prishtinë.