Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku ka reaguar pasi që kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shkarkuar nënkryetaren nga radhët e PDK-së, Donjeta Sahatçiu.
Ajo ka lavdëruar punën e Sahatçiut dhe shkarkimin e saj e ka quajtur lojë të ndytë politike.
Ka kritikuar Ramën që shkarkimin e bëri në Facebook, e me një postim po në këtë rrjet, ka thënë se përgjigjen e merituar Ramës do t’ia japin zyrtarisht e jo në Facebook.
“E këto lojërat e ndyta politike janë posaçërisht të rënda për gratë profesioniste e të pakompremetuara. Shkarkimi përmes Facebook është më i lehtë kur mungojnë argumentet. Jam krenare që nuk ke pranuar të jesh pjesë e skemave abuzive qoftë me pronat në Badovc, qoftë në procesin e digjitalizimit. Donjetë, je dhe ke me mbet faqebardhë. Vetëm përpara. E Përparimit përgjigjen e merituar do t’ia japim zyrtarisht. Jo në Facebook”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka thënë se është krenare me Sahatçiun.
“Donjetë, unë jam krenare me ty. Jam krenare me modelin e angazhimit qytetar e politik qe ti e përfaqëson. Jam krenare që një grua e re si ti ka vendosë me e vu krejt kapitalin njerëzor, intelektual dhe politik në shërbim të vendit. Jam krenare sepse ti je vlerë e shtuar për ne si vend”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
Edhe
Sahatçiu pas shkarkimit: Prishtina na bashkoi, Badoci na ndau
Kryetar i Prishtinës, Përparim Rama, të hënën ka njoftuar se ka ristrukturuar kabinetin qeverisës në kryeqytet.
Ndër ndryshimet që ka bërë është edhe shkarkimi i nënkryetares së kryeqytetit nga radhët e PDK-së, Donjeta Sahatçiu, e cila ka ushtruar edhe detyrën e drejtoreshës së Arsimit.