Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Akri Çipa, ka thënë se pala serbe po tregohet joserioze ndaj Kosovës në dialog e edhe ndaj partnerëve ndërkombëtarë.
Sipas tij, kryeministri Albin Kurti mund të ushtrojë presion ndaj Serbisë për të respektuar dhe zbatuar Marrëveshjen e Ohrit.
“Serbia në mënyrë zyrtare ka refuzuar të pranojë një pjesë të dakordimit, ka një lloj tërheqje irracionale që ka bërë përpjekje për të përzgjedhur e nxjerr në pah një sërë pikash që i shkojnë për shtat interesave të saj. Po përpiqet të hiqet nga obligimi për pikat ku është e obliguar (t’i zbatojë). Ka qëndrim joserioz me Kosovën dhe partnerët, e Kurti ka të drejtë të ushtrojë presion në kërkesat bazike”, ka thënë Çipa të enjten në Interaktiv të KTV-së.
Sipas tij, Serbia po humb me qëndrimet armiqësore.
“Gjendemi në një moment të rëndësishëm për faktin se ka një ujëbjerje të Serbisë kundrejt partnerëve, kryesisht nga qëndrimet evazive që i ka ndaj dialogut dhe Kosovës”, ka shtuar ai.
Edhe
Kurti: Për marrëveshje finale trysnia duhet të jetë mbi Serbinë, mirëpresim rolin e SHBA-së
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare ka theksuar se aktivizimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rrafshin e sigurisë ballkanike ka bërë që të ulet rreziku “për përsëritjen e një sulmi si në Banjskë”.
“Qëndrimi i SHBA-së që nga gjeneza kur ka ndodhur sulmi është i pa ekuivok. Qëndrimi i Kurtit nga Marrëveshja e Ohrit është në vijueshmëri logjike nga deklarimet e tij... Qëndrimi i Kosovës ka qenë i qartë e besoj se është mirë fakti që Kurti s’ka lëvizur për kërkesat ndaj Serbisë dhe partnerëve”.