Partitë politike nga sot e kanë numrin garues për zgjedhjet e 11 qershorit, raporton KTV.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë tërheqjen e shortit për renditjen e partive politike në fletëvotim për zgjedhjet e parakohshme.
Koalicioni i PDK-së me AAK-në, Nismën dhe të tjerët do ta ketë numrin 12 në fletëvotime.LDK-ja me AKR-në dhe Alternativën do ta kenë numrin 16. Lëvizja Vetëvendosje do të garojë me numrin 35, që është po i njëjti numër sikurse në zgjedhjet e 2014-ës.
Tërheqjen e shortit e kanë bërë edhe përfaqësuesit e partive të tjera politike e iniciativave qytetare.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, u ka bërë thirrje partive politike që të respektojnë detyrimet kushtetuese e ligjore e kështu ta kthejnë në festë 11 qershorin.
Daka ka thënë se KQZ-ja nuk do të lejojë keqpërdoruesit e votës të përfshihen në administratën zgjedhore për zgjedhjet e 11 qershorit. Në zgjedhjet e 11 qershorit, do të garojnë pesë koalicione, 19 parti politike dhe dy iniciativa qytetare.