Fushata parazgjedhore zyrtarisht do të nisë më 3 shkurt dhe do të mbyllet më 12 shkurt, por disa parti e liderë janë hedhur furishëm në aksion për të bindur qytetarët se ata janë alternativa më e mirë për zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit.
Vetëm dje, kryeministri në detyrë Avdullah Hoti pati dy takime me strukturat e LDK-së në Shtime e Ferizaj, e ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, pati tri takime: në Ferizaj, Kaçanik dhe Han të Elezit.
Njëjtë kanë vepruar edhe disa liderë të partive tjera.
Po çfarë kanë premtuar deri më tash?
LDK-ja si partnere kryesore në koalicionin e rrëzuar tashmë nga Gjykata Kushtetuese, ka nxjerr kandidat për kryeministër Hotin. Ai në të gjitha takimet e deritashme ka shprehur bindjen se LDK-ja do të fitojë zgjedhjet.
E dje në Shtime tha se “LDK-ja është e mira e vendit dhe garantuese e zhvillimit të tij”.
LDK-ja insiston se ka punuar mirë dhe se premtim i saj dhe i Hotit është vazhdimi i kësaj mirëqeverisje.
“Është qeveria e vetme pa asnjë skandal”, tha Hoti në një intervistë për transmetuesin publik ditë më parë.
Hoti nuk foli për vjedhjen e 2.1 milionë eurove të Thesarit dhe disa skandale tjera që ndodhen gjatë kësaj periudhe.
Hoti, si shef ekzekutivi, ka premtuar gati 2 milionë vaksina anti-COVID, por që nuk ka treguar se kur do të vijnë, para apo pas zgjedhjeve.
Ka thënë se kontingjenti i parë do të vijë në shkurt.
Në fokus të fushatës së PDK-së është kthyer dialogu. Hoxhaj në një konferencë për media, ka thënë se në çdo takim me Serbinë, do të diskutohet edhe për shqiptarët dhe statusin e tyre në Luginë të Preshevës.
Nga ekspertët, kjo është vlerësuar si riciklim i premtimeve të bëra vite më parë.
Hoxhaj premtoi edhe rritje të pagave për policët.
Ndërkohë, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka premtuar mobilizim të një miliard eurove gjatë vitit 2021, në kuadër të asaj që e ka quajtur “Fondi i Mbijetesës Ekonomike”.
VV-ja që llogaritet si favoritja kryesore për të fituar zgjedhjet, ende nuk ka nisur zyrtarisht takimet me struktura e qytetarë, apo të paktën nuk po i bën të ditura këto aktivitete sikurse partitë tjera përmes Facebookut.