Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Çfarë ndodhi sot në seancën gjyqësore ndaj Ramë Bujajt

Para gjykatës, mbrojtësit dhe të akuzuarit në rastin e Ramë Bujës dhe të tjerët kanë paraqitur kundërshtimet e tyre për aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, raporton KTV.

Kanë kërkuar që Gjykata ta hedhë poshtë aktakuzën, që kanë thënë se nuk ka bazë.

Petrit Dushi, avokat i ish-ministrit të Arsimit Ramë Buja, ka kontestuar besueshmërinë e provave të Prokurorisë.

Florent Latifaj, që mbron drejtorin e suspenduar të prokurorimit në MASHT, ka thënë se në aktakuzë nuk janë përmbushur elementet e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës.

Ramë Buja i PDK-së akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, njësoj sikur Sekretari i pezulluar nga puna, Xhavit Dakaj dhe shefi i prokurimit gjithashtu i pezulluar nga puna, Xhemajl Buzuku.

Pronari i kompanisë AlB Architect, Afrim Demiri, akuzohet për mashtrim, kompanisë së të cilit i ishte dhënë tenderi i ministrisë, që është objekt i akuzës.