Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Çerdhja e vetme publike në Pejë del kundër “Halloweenit”

Çerdhja e vetme publike në Komunën e Pejës, “Pëllumbat e Paqes” ka dalë kundër organizimeve për “Nata e Shtrigave”.

Përderisa në shumicën e institucioneve tjera parashkollore sot ka pasur organizime me kostume të fëmijëve e riorganizime të klasave, në këtë institucion publik “Halloweeni” po shihet si diçka “e shëmtuar dhe e frikshme”.

“Kjo ditë me subjekt vdekjen, me të gjitha inskenimet dhe aksesorët, është një shembull shumë i keq për fëmijët, prej të cilëve pritet ta shikojnë jetën me ngjyra të ndritshme, me gjëra të gëzuara dhe me njerëz me pamje të bukur dhe sigurisht ta gëzojnë atë sa më bukur që është e mundur! Prandaj secili është i lirë të bëjë zgjedhjen e tij, të festojë apo jo Halloweenin. Por kujdes për mesazhin dhe modelin që i afroni fëmijëve. Ne mbajmë përgjegjësi për fëmijët që kemi nën kujdesin tonë duke iu ofruar dashuri, gëzim e hare e jo trishtim e frikë”, thuhet në njoftimin e kësaj çerdheje se përse nuk e feston këtë ditë.

Ndërkaq drejtori i Arsimit në Pejë, Besim Avdimetaj, i kontaktuar nga KOHA, ka thënë se s’ka informata për këtë çështje.

Halloween është kthyer në pak kohë edhe si një nga festat më të dashura për fëmijët, që argëtohen duke u veshur dhe përdorur maskat e personazheve horror. Shtriga, mumje, vampirë, skelete e monstrumet nga të gjitha llojet, në këtë rast fëmijët nuk duken se tremben nga këto figura horror.

Nata e Shtrigave më 31 tetor, në shumicën e vendeve, festohet si Halloween. Ndërsa kisha e ka karakterizuar këtë praktikë si pagane, të rinjtë në mbarë botën po shijojnë shumë kunguj dhe maskat. Fillimi i festës së Halloweenit daton që nga shekulli i pestë, kur keltët e lashtë festuan zotin e Diellit dhe zotin e Vdekjes. Më 1 nëntor, ata shënuan fillimin e vitit të ri.

Artikuj të ngjashëm