Sot u shënua Dita Botërore e Lirisë së Shtypit edhe në Kosovë, por kjo ditë nuk e ka gjetur në gjendje të mirë Kosovën, ku vetëm në 5 mujorin e parë të këtij viti janë raportuar 8 raste, përfshirë kërcënime, sulme fizike dhe dëmtim të pronës së gazetarëve.
Kryeredaktori i portalit Koha.net, Zenun Çelaj, ishte në Express Intervistën në KTV, i cili ka treguar se si është zhvilluar gazetaria në Kosovë e ka thënë se gjendja vazhdon të mos jetë e mirë, kryesisht kur bëhet fjalë për gazetarët në punën e tyre.
Çelaj tha se punën si gazetar e bënë tash e 58 vjet. Ai ka rrëfyer në pika të shkurta kohën kur ai raportonte, e thotë se kur i ndanë ato kujtime me gazetarët e rinj, për këta të fundit duken kohë “Të paimagjinueshme”. Ai tha se ishin kohë të pakrahasueshme sidomos në vitet e 90-ta, ku jo vetëm liritë profesionale por edhe mundësitë teknike ishin të kufizuara, e bëheshin vështirësi t’i tregoje edhe aftësitë si gazetar.
“Për një ngjarje të humbte gjithë dita, dhe në fund duhej të shkruaje një lajm me shije të themeluesit, pra si mendonte ai, në atë kohë Rilindjes”, ka thënë Çelaj.
Ai ka treguar se atë kohë ka pasur dinamikë interesante, e shpeshherë edhe raportime dramatike. Pas rënies së Aleksandar Rankoviqit, nënkryetar i ish-Jugosllavisë, Çelaj ka thënë se ka pasur më shumë liri në vend.
“Atëherë filluam të raportojmë e të shkruajmë më me guxim e më me zë”, tha ai.
Fillimi i viteve të 90-ta, ishte koha kur gazetarët largoheshin nga puna. “Mediumet e vetme Rilindja dhe RTSH, u mbyllën me forcë. Ne në Rilindje vazhduam edhe një kohë, e shfrytëzuam ligjin atë kohë. Me ligj nuk ndaloheshin botimet si “Bujku”, “Shkëndija”, “Fjala”, “Zëri” e disa tjera, që s’kishin lidhje me raportimet ditore”, tha Çelaj.
Pas luftës, u hapën disa mediume, e pas disa vitesh nisën punën edhe mediet online, portalet.
Çelaj tha se në vitet e 90-ta, pati shpërthim të medieve, kohën kur më së shumti ndalohej kjo gjë. Kjo sipas tij, ndodhi pas hyrjes së KFOR-it në Kosovë.
“Nisën kryesisht mediet online, sepse në atë kohë, ishin më të lirat. Bashkë me këtë ndodhën edhe çoroditje, pati shkelje të profesionalizmit. Nuk u ndoq rruga serioze që e kishim në periudhën mëhershme”, tha ai, por shtoi se duke e ditur që e ka përjetuar kohën drastike të socializmit, sot të gjithë janë të lirë të shkruajnë çdo gjë, dhe “askush s’mund të të arrestojë apo të të sulmojë”, tha Çelaj.
“Tash janë gjetur tjera forma të presionit, si kërcënimet”, tha Çelaj.
Megjithatë ka përmendur se edhe sot ka një numër të konsiderueshëm të medieve që manipulojnë, madje edhe gazetarë të instrumentalizuar.
Çelaj tha se është mjaft e vështirë të sigurohet sot buka e një gazetari, e ka shtuar se ka mediume se në këtë bazë, kanë krijuar pasuri por pas një kohe ato janë shuar. “E ata që janë përpjekur me forca të veta e me mund, tani vazhdojnë të ekzistojnë”, shtoi ai.