Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se vendimi i presidentes Vjosa Osmani, për të tërhequr kërkesën nga Gjykata Kushtetuese, në lidhje me seancën konstituive të Kuvendit, nuk e ndalon trajtimin e saj nga gjykata.
Në një konferencë për media të martën, Osmani e kishte arsyetuar tërheqjen me caktimin e gjyqtarit Radomir Laban si raportues të çështjes, për të cilin kishte ngritur shqetësime mbi integritetin dhe rrezikun e mundshëm për sigurinë kombëtare.
Cakolli ka thënë se është legjitime për çdo institucion të ketë rezerva ndaj individëve të caktuar, veçanërisht kur ka informacione të përsëritura nga institucionet e sigurisë. Megjithatë, ai pati një pyetje.
“Nëse pas tetë vjetësh raportimesh të tilla nuk është iniciuar asnjë hetim apo kallëzim penal, si mund të justifikohet që caktimi i një gjyqtari raportues të përdoret si arsye për tërheqje nga një rast me rëndësi të thellë kushtetuese?”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas tij, gjyqtari raportues nuk ka kompetencë për të vendosur për fatin e kërkesës apo për përmbajtjen përfundimtare të vendimit.
“Nëse paneli prej tre gjyqtarësh propozon papranueshmëri dhe asnjë gjyqtar tjetër nuk e kundërshton, rasti mbyllet. Por nëse së paku një gjyqtar nuk pajtohet, çështja kalon për shqyrtim në përbërje të plotë”, sqaroi Cakolli, duke shtuar se vendimi përfundimtar miratohet me shumicë votash, dhe teksti final mund të hartohet nga një gjyqtar tjetër, me vendim të kryetarit të gjykatës.
Ai theksoi gjithashtu se tërheqja e kërkesës nuk e ndalon domosdoshmërisht trajtimin e saj, pasi Kushtetuesja ka të drejtë të vazhdojë procedimin kur vlerësohet se ka interes publik madhor.
“Në një situatë kur Kuvendi nuk është konstituuar brenda afatit kushtetues dhe vendi ndodhet në një vakum institucional, nuk ka dilemë se ky është një nga rastet më serioze që kërkon përgjigje të qartë nga autoriteti i vetëm që ka mandat për ta dhënë atë”, deklaroi Cakolli.
Ai përfundoi duke theksuar se Gjykata duhet ta trajtojë këtë çështje deri në fund, jo vetëm për të siguruar funksionimin kushtetues të institucioneve, por edhe për të mbrojtur integritetin dhe për të ruajtur besimin e qytetarëve në vendimmarrjen e saj si institucion.
Ndërsa deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka reaguar pas konferencës së presidentes Vjosa Osmani, duke e quajtur atë një “show të fundit para vendimit të madh”, në prag të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.
Në një shkrim në Facebook, Gashi ka thënë se vetëm edhe tre ditë kanë mbetur deri në shpalljen e vendimit të gjykatës, i cili pritet të jepet para se të skadojë masa e përkohshme që aktualisht ka pezulluar çdo veprim të Kuvendit të ri. Sipas tij, këto ditë do të jenë vendimtare për të përcaktuar nëse vendi do të ecë drejt stabilitetit institucional apo drejt zgjedhjeve të reja.
“Unë mbetem i bindur se Gjykata Kushtetuese duhet të riafirmojë parimin demokratik të vendimmarrjes nga shumica. Ajo duhet të rikthejë normalitetin institucional,” u shpreh Gashi.
Miftaraj: Siguria kombëtare nuk mbrohet me konferenca për media
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka thënë se mbrojtja e sigurisë kombëtare nuk mund të bëhet përmes konferencave për media dhe kritikoi qasjen e presidentes Vjosa Osmani ndaj Gjykatës Kushtetuese.
Miftaraj reagoi pas deklaratave të presidentes Osmani në konferencën për media të martën pasdite, ku ajo arsyetoi tërheqjen e kërkesës për seancën konstituive nga Gjykata Kushtetuese për shkak të caktimit të gjyqtarit Radomir Laban si raportues.
“Siguria kombëtare nuk mbrohet përmes konferencave për media. Nuk sulmohet Gjykata Kushtetuese në këtë mënyrë nga Presidentja e Republikës”, deklaroi ai.
Lidhur me gjyqtarin Laban, Miftaraj kujtoi se IKD-ja e kishte kundërshtuar publikisht emërimin e tij që në momentin e parë, por theksoi se reagimet institucionale duhet të mbeten në kuadër të rendit kushtetues dhe të shmangin politizimin.
“Siguria kombëtare ruhet dhe mirëmbahet nga autoritetet kompetente, dhe kurrë përmes politizimit të Gjykatës Kushtetuese apo sulmeve të tilla nga Presidenca”, shtoi ai.
Sipas Miftarajt, veprimet e fundit paraqesin një gabim të rëndë dhe ndërtojnë një kulturë të re politike që, siç tha ai, cenon seriozisht pavarësinë dhe integritetin e Gjykatës Kushtetuese.