Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama po i shfrytëzon resurset publike për përfitim elektoral.
Ai e ka quajtur abuzim me resurse publike veprimin e fundit të Ramës, i cili mori vendim që t’i lirojë nga pagesa e “Trafikut Urban” mësimdhënësit, mjekët, nxënësit e studentët.
“Ndonëse në lexim të parë ky duket vendim i drejtë dhe i favorshëm, fakti që merret në mes të fushatës dhe hyn në fuqi vetëm 12 ditë para zgjedhjeve e bën atë një vendim të pastër elektoral. Për më keq, ky është shembull tipik i shfrytëzimit të resurseve publike për përfitim elektoral – praktikë për të cilën pikërisht partia që sot udhëheq kryeqytetin akuzonte partinë në pushtet qendror gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit. Abuzimi me resurset publike për vota është cenim i garës së barabartë zgjedhore, kurdo, kudo dhe nga kushdo që ndodh”, ka shkruar ai në Facebook.
Gati tri javë para zgjedhjeve lokale, Komuna e Prishtinës ka marrë vendim që të lirojë nga pagesa e “Trafikut Urban” disa kategori të caktuara, që përfshijnë edhe nxënësit e shkollave të mesme, studentët, mjekët e mësimdhënësit.
Sipas vendimit të nënshkruar nga kryetari i komunës, Përparim Rama, disa kategori të caktuara do të përjashtohen nga pagesa për shfrytëzimin e transportit publik në qytet, duke filluar nga data 1 tetor 2025.