Arbëri

Cakolli për miratimin e Projektbuxhetit 2026: Është cenim i rendit kushtetues

Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar të premten Projektbuxhetin për vitin 2026, veprim që sipas Eugen Cakollit nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) bie ndesh me Ligjin për Qeverinë dhe me parimet kushtetuese të funksionimit institucional.

“Nisur nga aspekti i Ligjit për Qeverinë, kemi të bëjmë me një keqinterpretim të qëllimshëm”, deklaroi Cakolli në “60 Minuta” të KTV-së.

Ai theksoi se neni 31 i këtij ligji përcakton qartë kufizimet për qeveritë në dorëheqje, përfshirë edhe ndalimin për të miratuar projektligje apo për të dërguar buxhetin në Kuvend.

“Sipas paragrafit 5, këto kufizime vlejnë edhe për qeverinë në detyrë, por jo përjashtimet. Pra, ky vendim është i kundërligjshëm si nga aspekti ligjor, ashtu edhe nga ai kushtetues”, shtoi ai.

Cakolli paralajmëroi se ky veprim gjithashtu përbën konflikt interesi dhe është paradoksal.

“Më shumë se gjysma e kabinetit qeveritar që votuan pro këtij projektligji, do të jenë sërish deputetë në Kuvend dhe do të votojnë për të njëjtin dokument për herë të dytë. Ky është një konflikt i pastër interesi dhe cenim i rendit kushtetues”, ka deklarur Cakolli.

Ai shtoi se Projektbuxheti nuk mund të procedohet në Kuvend, pasi ky i fundit ende nuk ka të formuara komisionet e brendshme dhe, sipas aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, detyra e parë e Kuvendit pas konstituimit është zgjedhja e qeverisë, jo miratimi i ligjeve.

“Kjo është një lëvizje e pastër elektorale. Po shohim keqpërdorim të resurseve publike për qëllime zgjedhore, jo vetëm me këtë vendim, por edhe me disa të tjera që po merren ditëve të fundit”, theksoi Cakolli.

Ai foli gjithashtu edhe për debatin rreth ndryshimit të mënyrës së zgjedhjes së presidentit, duke kujtuar se për këtë ekziston tashmë një draft në Kuvend.

“Kalimi nga zgjedhja në Kuvend në zgjedhje të drejtpërdrejta kërkon 80 vota për, përfshirë dy të tretat e votave të komuniteteve. Është vështirë e realizueshme, duke pasur parasysh rolin bllokues të Listës Serbe në çdo nismë për ndryshime kushtetuese”, ka thënë ai.

Sipas Cakollit, nëse presidenti do të zgjidhej përmes një sistemi me dy raunde, do të riktheheshin sërish pazaret politike mes partive.

“Pa mbështetjen e subjekteve të mëdha, asnjë kandidat nuk mund të marrë votat e nevojshme. Në fund të ditës, Kosova kurrë s’ka shkuar në zgjedhje për shkak të moszgjedhjes së presidentit – dhe kjo do të mbetej një sfidë edhe në të ardhmen”, përfundoi ai.