Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Cakolli kritikon Nagavcin për çështjen e librave shkollorë: Dështim dhe papërgjegjësi e madhe

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, e ka quajtur “dështim dhe papërgjegjësi të madhe”, formën e prezantuar nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, të hënën në konferencë për media, për t’iu dhënë para prindërve për blerje të librave shkollorë.

Nagavci në konferencë për media ka thënë se prindërit duhet të aplikojnë nëpërmjet e-Kosova për rimbursim të mjeteve dhe paratë do t’u dalin në llogari.

Cakolli ka thënë se nuk ka asnjë garancë që “mjetet e paguara do të shfrytëzohen nga prindërit për blerje të librave dhe se kjo formë nuk është zgjidhje”.

“Në çfarëdo varianti, çmimi të cilin do ta paguajnë prindërit për tekstet shkollore të fëmijëve s'mund të jetë më i ulët sesa cilido çmim i negociuar mes Ministrisë së Arsimit dhe prodhuesve të teksteve shkollore. Po ashtu, nuk do të ketë asnjë garancë që mjetet e paguara do të shfrytëzohen për qëllimin e blerjes së librave nga prindërit. Prandaj kjo s'është zgjidhje. Është improvizim koti, sa për ta mbuluar një dështim dhe papërgjegjësi kaq të madhe - për të cilën duhet dhënë llogari. Veç tash mos u ankoni se edhe prodhuesit e teksteve shkollore janë të kapur dhe po ju sabotojnë për shkak se janë pjesë e regjimeve të kaluara”, ka shkruar Cakolli në Facebook.