Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka takuar Këshillin Drejtues të Universitetit të Prishtinës për të marrë informata të afërta në lidhje me kërkesën e rektorit të UP-së, Marjan Dema, për të mos pasur ndërhyrje të ministrisë që ai drejton në autonominë e Universitetit.
Bytyqi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ky takim me KD të UP-së është shfrytëzuat edhe për të rivënë në vëmendje se “nepotizmi e fenomene tjera të liga nuk duhet të lejohen të ndikojnë proceset në Universitet”.
“Stafi i munguar sigurisht se ka penguar që Universiteti të plotësoj kritere të rëndësishme të arritshmërisë. Mosplotësimi në kohë i boshllëkut me staf akademik është shqetësim për Ministrinë. Thërras autoritetet e Universitetit, veçanërisht Këshillin Drejtues, të pikëtojë shkaqet e mos reagimit në kohë dhe të ndërmerr masa që kjo gjendje të mos vazhdojë kështu”, ka thënë Bytyqi, raporton Koha.net.
Opinioni i Avokatit të popullit mbi Parandalimin e Nepotizmit në Universitetin e Prishtinës, me numër protokolli 481/2018, i datës 16 mars 2018, krahas gjithë gamës së veprimeve për parandalimin e deformimit të procesit përzgjedhës të stafit, sipas ministrit të Arsimit, është një obligim shtesë për Këshillin e Etikës dhe të gjitha organet e Universitetit.
Bytyqi është shprehur optimist se procesi do mbetet i padeformuar dhe kështu do të kemi staf akademik kredibil, i cili do të plotësojë boshllëkun e deritashëm.
Edhe
Bytyqi ofron mbështetje për UP-në
“Ministria mbetet e përkushtuar për të respektuar pavarësinë e Arsimit të Lartë dhe në këtë e siguron Rektorin Dema, por nuk do mbetet e pavëmendshme për proceset që paraqiten me deformime qoftë për çfarëdo shkaku, të kujtdo, në shkollimin e lartë e kudo tjetër. Shoqëria jonë më nuk do të pajtohet me asnjë individ që deformon Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës”, deklaroi Bytyqi.
Ministri i ka bërë thirrje Këshillit Shtetëror të Cilësisë të ketë vëmendjen profesionale në procesin e akreditimit sepse, siç tha ai, “Arsimi i Lartë nuk duhet të lejojmë të bëhet as shtëpi nepotizmi e as arenë korruptive, por të jetë një garancë dhe shtëpi ku nxjerrën kuadro cilësorë për shoqërinë tonë”.