Arbëri

Bytyçi: VV-së e LDK-së i duhet patjetër kompromis, pastaj ndryshim të sistemit politik

Në një intervistë për Koha.net, ligjëruesi i politikës në Universitetin Winchester në Londër, Seb Bytyçi ka thënë se VV-ja dhe LDK-ja po e shpenzojnë kapitalin politik në vend se të njëjtin ta përdorin për të qeverisur.

Sipas Bytyçit, fati politik i të dyjave do të varet nga performansa e ekipeve të tyre, porse jo nga pozitat që mbajnë njerëz të caktuar të tyre. Në këtë kontekst, ai thotë se nevojitet një kompromis edhe me kushtin e një hapi prapa, pavarësisht frikës së të dyjave për një veprim të tillë.

Mospërsëritjen e ngërçit, Bytyçi e sheh të ndërlidhur me ndryshime në sistemin politik.

Kjo do të arrihej kur partisë fituese t'i jepet një numër i caktuar deputetësh shtesë për të lehtësuar formimin e qeverisë, siç ndodhë në disa shtete, p.sh. në Greqi numri është 50. Ose kur numrit aktual të deputetëve i shtohen edhe ata "meritokratik", të cilët nuk dalin nga zgjedhjet, por caktohen në këtë detyrë, shkaku i arritjeve të tyre.

Koha.net: Z.Bytyçi, ngecja e negociatave për koalicionin qeverisës po shpërfaqë më shumë problemin e hises në pushtet, sesa përplasjet programore. VV-ja dhe LDK-ja në publik po përpiqen ta amnistojnë veten nga përgjegjësia për ngërçin. Kjo qasje a do të prodhojë kompromis, apo krizë pas ngërçit?

Bytyçi: Me kalimin e kohës bëhet më pak e rëndësishme kush është fajtor për ngërçin. Të dyja palët duhet t'i qasen negociatave me gatishmëri për kompromis, sidomos kur dihet se mundësia për zgjedhje të reja është e vogël, dhe palët i kanë opsionet e limituara. Të dyja partitë po shpenzojnë kapital politik. LDK-ja ka shpenzuar kapital politik me faktin që e vendosi postin e presidentit në negociata kundër premtimeve parazgjedhore si dhe me faktin që dikush tjetër u msitnua gjatë fushatës e dikush tjetër u martua - votat i mori me kandidimin e Vjosa Osmanit, kurse pas zgjedhjeve u faktorizuan ata që nuk ishin në listë zgjedhore. Në anën tjetër LVV-ja po shpenzon kapital politik me kalimin e kohës me vetë faktin që është partia e parë.

Koha.net: Kush duhet të lëshojë pe, sipas jush, në kohën që dallimet ndërmjet qëndrimeve në shikim të parë nuk duken të thella?

Bytyçi: Të dyja palët duhet të lëshojnë pe dhe t'i tejkalojnë pengesat e mosbesimit që i kanë. LDK-ja po frikësohet të hyjë në koalicion pa e patur të paktën një post "kushtetues", siç është Kryetari i Kuvendit apo Presidenti. Kurse LVV-ja ka frikë të jetë në një marrëveshje ku dy nga tri postet kushtetuese i takojnë partisë së dytë. Një kompromis këtu duhet të gjendet. Partitë duhet ta kuptojnë se ndonjëherë duhet bërë një hap prapa për të bërë më shumë hapa para. Fati i tyre politik në të ardhmen nuk do të varet nga ngurtësia e pozitave që mbajtën në negociata, por nga performanca e ministrave të tyre në pushtet.

Koha.net: Si mund të krijohet një mundësi ligjore, por edhe politike që Kosova të mos vijë zakonisht në të njëjtën situatë sa herë që kërkohet kompromis politik?

Bytyçi: Një mundësi është që partisë fituese t'i jepet një numër i caktuar deputetësh shtesë për të lehtësuar formimin e qeverisë, siç ndodhë në disa shtete, p.sh. në Greqi numri është 50. Pastaj mund të shtohen disa deputetë "meritokratik" në Kuvend të cilët nuk do të dilnin nga zgjedhjet por të caktoheshin për shkak të arritjeve të tyre, dhe këta do të ndihmonin në tejkalimin e ngërçeve. Ose të caktohej një afat ligjor për formimin e qeverisë. Një opsion tjetër është që kompetencat për buxhet t'i kalojnë administratës për ta parandaluar krizën sociale. Më duhet të theksoj se ky ngërç u shkaktua jo nga pengesat ligjore por nga vendimet politike, sidomos nga refuzimi i LVV-së të bëj koalicion me partitë e PAN-it, gjë që e forcon pozitën negociuese të LDK-së.