Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bushati i kërkon Stoltenbergut vijimin e institucionalizimit të marrëdhënieve të NATO-s me Kosovën

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, zhvilloi dje një takim pune me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në ambientet e Ambasadës së Shqipërisë në Washington DC.

Biseda pati në fokus kontributet e Shqipërisë në kuadër të Aleancës, në përgjigje të sfidave në krahun lindor dhe jugor të saj, situata e sigurisë në rajon, si dhe bashkërendimin e qëndrimeve të vendeve të Aleancës në prag të ministerialit të ardhshëm të NATO-s në muajin prill.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Bushati ritheksoi hapat e ndërmarra nga Shqipëria në përmbushjen e angazhimeve të Samitit të Varshavës, përfshirë rritjen e buxhetit dhe shpenzimeve të mbrojtjes.

Sekretari Stoltenberg, nga ana e tij, vlerësoi rolin e Shqipërisë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, kontributin e shtuar të vendit tonë në operacionet dhe misionet e NATO-s, si dhe në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

“Pjesë e rëndësishme e diskutimeve ishin zhvillimet e fundit në rajon, përfshirë marrëdhëniet Kosovë-Serbi, situata aktuale në Maqedoni dhe përfundimi i procesit të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO”, thuhet në njoftimin për media të MPJ-së së Shqipërisë.

Bashkëbiseduesit u ndalën mbi nevojën për të bashkërenduar përpjekjet për të konsoliduar stabilitetin demokratik dhe për të përmirësuar mjedisin e sigurisë në rajon, në përgjigje të faktorëve destabilizues në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë kontekst, ministri Bushati theksoi nevojën për thellimin e bashkëpunimit mes Aleancës dhe vendeve të rajonit, dhe veçanërisht vijimin e institucionalizimit të marrëdhënieve të NATO-s me Kosovën, “si një mënyrë për të adresuar kërkesat e saj legjitime për më shumë siguri”.

“Në kuadër edhe të Komunikatës së Varshavës, angazhimi më substancial i NATO-s bëhet edhe më i domosdoshëm pas ngjarjeve të fundit destabilizuese të paqes dhe trajektores euro-atlantike të vendeve të rajonit”, ka thënë Bushati, raporton Koha.net.

Palët ranë dakord se progresi i reformave shtet-konsiliduese, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, dhe perspektiva euro-atlantike mbeten akset kryesorë të përforcimit të paqes dhe stabilitetit demokratik në rajonin tonë, në respekt të vlerave euro-atlantike.​

Ministri Bushati dhe Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg ndodhen në Washington në kuadër të Ministerialit të Koalicionit Global anti-ISIS.