Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, ka thënë se strategjia kundër korrupsionit për të cilën ka marrë vendim Qeveria pritet të hartohet deri në dhjetor të këtij viti.
Buleshkaj ka njoftuar se orientimi i kësaj strategjie do të ndërlidhet me sundimin e ligjit, me masat për parandalimin e korrupsionit, e me parandalimin e korrupsionit në prokurim publik.
“Nga vendimi i Qeverisë pritet që deri në dhjetor të hartohet ky dokument. Ashtu siç e kemi parë ne tentohet të jetë një grup gjithëpërfshirës që do të kontribuojë në hartimin e këtij dokumenti, Agjencia është pjesë e këtij grupi punues. Ne do të jemi në rolin e këshilltarit teknik sepse në të kaluarën Agjencia ka pasur një rol aktiv në hartimin e dokumentit. Në të kaluarën bashkë me Qeverinë jemi marrë me hartimin e strategjisë. Kemi dëgjuar sot për orientimet apo shtyllat që Qeveria mendon se do të përbëjnë këtë strategji. Ndërlidhen me sundimin e ligjit, me një administratë publike me etikë, me zhvillimin e masave për parandalim të korrupsionit e po ashtu edhe me parandalimin e korrupsionit në prokurim publik”, ka thënë ai të martën në “60 Minuta” të KTV-së.
Sipas Buleshkajt, vitet e fundit është vërejtur përparim i dukshëm në zvogëlimin e potencialit për korrupsion.
“Nga ajo që kemi vërejtur si Agjenci është një përparim i dukshëm qoftë në transparencën e Qeverisë, po ashtu edhe në zvogëlimin e potencialit për korrupsion. Nga fushëveprimtaria që ne e vëzhgojmë dhe kemi mandat është kryesisht te aspektet e transparencës dhe deklarimit të pasurisë, qofshin ato edhe te konflikti i interesit, po ashtu kemi përparim edhe në përdorimin e mekanizmit të sinjalizimit qoftë të brendshëm e të jashtëm për të ruajtur integritetin e institucioneve. Para 2-3 vjetëve (v.j. korrupsioni) ka qenë një prej brengave kryesore të publikut, tani është te brenga 10 apo 11, nuk e ka më brengë kryesore, por ne si Agjenci vazhdojmë të punojmë në mënyrë që ky trend pozitiv të vazhdohet”, ka thënë ai.
Lidhur me deklarimin e pasurisë nga zyrtarët publikë, Buleshkaj ka thënë se janë në finalizim të masës që është shqiptimi i gjobës për ata që e vonojnë deklarimin.
Edhe
Policia e Kosovës prin me numrin e zyrtarëve të vonuar në deklarimin e pasurisë
Jemi në finalizim të masës që është shqiptim i gjobës (për zyrtarët që nuk e deklarojnë pasurinë), jemi duke i kryer të gjitha punës administrative për të na mundësuar t’i shqiptojmë gjobat sepse janë disa punë teknike që jemi në përfundim të tyre dhe besoj që shumë shpejt do t’i shqiptojmë gjobat për zyrtarët që e kanë vonuar deklarimin e pasurisë. Gjoba është 30 për qind e pagës deri në 500 euro.
-
Buleshkaj: Këshilli Gjyqësor është dy vjet vonë me Planin e Integritetit, këto ditë e ka nënshkruar
-
Lufta kundër korrupsionit në Kosovë, sot në “60 Minuta” me Yll Buleshkajn
-
78 raste të deklarimit të pasurisë dërgohen në Prokurori
-
Buleshkaj: Numri i zyrtarëve publikë që nuk e deklaruan pasurinë më i madh se vitin e kaluar