Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se nuk kanë marrë asnjë njoftim nga Qeveria për shtesën prej 50 euro për punonjësit e sektorit publik nga muaji shtator.
Qeveria e Kosovës ka prezantuar të shtunën pakon e përballjes me inflacionin, duke ndarë shtesa për disa sektorë, duke nisur nga shtatori.
Jasharaj ka thënë për KOHËN të shtunën se pas këtij vendimi, do të mblidhen në BSPK ku anëtarësia do të vendosë për hapat e mëtutjeshëm.
Ai ka shtuar se problemi i tyre nuk është vetëm te kërkesa prej 100 euro në pagat e tyre deri në miratimin e Ligjit për Paga.
“Nuk është problemi vetëm te 100 eurot, kemi edhe kërkesa të tjera si Ligji për Paga etj. Nuk e kemi marrë ende njoftimin, do të shohim çka do të thotë anëtarësia dhe se çka do të vendosin organet e BSPK-së”, ka thënë Jasharaj.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë në një konferencë për media të shtunën, bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Murati, se shtesa prej 50 eurosh për sektorin publik s’ka të bëjë me Ligjin e Pagave.
Edhe
Jasharaj: Kurtin e kam lutur si vëlla për 100 euro që s'na jepte, si mund të na japë tash pagën e 13-të
Sipas tij, kjo shtesë po bëhet për këtë vit fiskal, dhe se është ndihmë për ta përballuar inflacionin.
Ai e ka quajtur absurde kërkesën e mësimdhënësve për shtesë prej 100 euro në pagat e tyre, deri në miratimin e Ligjit për Paga.