Breshri i shoqëruar edhe me erë mëngjesin e së mërkurës ka shkaktuar dëme të mëdha në disa fshatra të Komunës së Istogut, sidomos në Kovragë, Llukavc i Thatë, Trubuhovc dhe në pjesën e Lugut të Drinit.
Dëme kanë pësuar shumica e kulturave bujqësore, e më së tepërmi janë prekur plantacionet e shumta të mollëve. Vetëm në fshatin Kovragë, siç tregon pronari i gjashtë hektarëve me mollë, Kosovë Blakaj, janë dëmtuar rreh 70% e mollës në rreth 100 hektarë mollë në këtë fshat, raporton KOHA.
“Sot në mëngjes rreth orës gjashtë ka ardh një furtunë apo uragan, si duash e quajmë, i përzier me breshër. E kjo na ka shkaktuar shumë dëme të mëdha në pemishtet tona. Kryesisht fshati është me pemishte, molla, ka edhe shalqinj, por dëmet më të mëdha janë në molla”, ka thënë Blakaj, pemëtar nga Kovraga e Istogut.
Dëmet në plantacionet e mollëve në këtë fshat, që njihet për traditën e kultivimit të kësaj frute, sipas Blakajt, janë të pariparueshme, për shkak se ato ishin në fazë të pjekjes. Vlera e dëmeve në gjitha kulturat bujqësore që ka shkaktuar breshri të mërkurën në këtë komunë ende nuk dihet, por në ditët në vijim komuna do ta bëjë vlerësimin.
“Ne kemi formuar një komision për vlerësimin e dëmeve dhe kemi informuar edhe fermerët e bujqit që ata të vijnë dhe të lajmërohen çdo njëri për parcelën e vet. Dhe qysh nesër në fillojmë pastaj me procedim të vlerësimit të dëmeve. Për momentin nuk kemi ndonjë shifër”, është shprehur Lulzim Shoshi, drejtori i Bujqësisë në Komunën e Istogut.
Vitet e fundit, moti i keq, ngrica e breshri u kanë shkaktuar dëme te vazhdueshme fermerëve të Komunës së Istogut dhe dëmet janë me miliona euro, por deri tash nuk janë kompensuar e as ndihmuar nga askush, pavarësisht se kanë aplikuar për kompensime.