Arbëri

Borrell: Takimi i Ohrit, mundësi që s’duhet humbur

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se takimi i së shtunës në Ohër midis krerëve të Kosovës dhe Serbisë është “rast që s’duhet humbur”.

Në një konferencë për media të premten, pas takimit me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka thënë se Kosova dhe Serbia tashmë kanë ofruar komentet e tyre për aneksin e implementimit të Planit evropian, për përmbajtjen e së cilës kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u pajtuan më 27 shkurt në Bruksel.

Sipas tij, takimi i së shtunës do të shërbejë “për të definuar hapat praktikë që duhet ndjekur për implementim... se çka duhet të bëhet, kur dhe si”.

“Kemi histori të gjatë të marrëveshjeve që s’janë implementuar kurrë. E kjo duhet të jetë e implementueshme. Duhet të pajtohemi si dhe kur ta implementojmë”, ka thënë ai.

Vij në Ohër me shpresën që përballem me mundësi unike për Kosovën dhe Serbinë për të lëvizur përpara e për të bërë progres për t’i normalizuar raportet. Në praninë tuaj, theksoj se kjo mundësi duhet të përdoret sepse askush s’përfiton më shumë sesa popujt e Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar ai duke shtuar se vendet e rajonit kanë “mundësi që s’duhet t’i humbin” për rrugën e integrimit evropian.

Sipas tij, një marrëveshje Kosovë-Serbi do të shërbente pozitivisht për rrugën evropiane të të dyja vendeve dhe do të rriste stabilitetin e rajonit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Takimi në kuadër të dialogut ndërmjet dy shteteve do të ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell dhe emisari Miroslav Lajcak.

Diskutimet të shtunën pritet të fokusohen në arritjen e një dakordimi edhe për planin e zbatimit të propozimit evropian, e ku pritet të përcaktohen edhe afatet e zbatimit të pikave e veprimet që do të ndërmerren.