Arbëri

Borrell: Marrëveshja për të zhdukurit, hapi i parë i përmbushjes së zotimeve

Josep Borrell - Perfaqesues i Larte i BE-se per Politike te Jashtme e Siguri

Josep Borrell, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, ka thënë se pajtimi i Kosovës dhe Serbisë të martën për tekstin e deklaratës së personave të zhdukur, është hapi i parë drejt përmbushjes së zotimeve që të dyja vendet kanë dhënë me marrëveshjet e arritura në shkurt në Bruksel dhe mars në Ohër.

“Serbia dhe Kosova janë zotuar në Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin. BE-ja pret që dyja palët të respektojnë gjitha obligimet dhe të fillojnë sa më shpejt zbatimin. Palët duhet të evitojnë çdo përshkallëzim të mundshëm. Përkthimi i përkushtimeve në rrugët e tyre evropiane po vazhdon”, ka shkruar Borrell në Twitter të mërkurën. “Marrëveshja që është arritur për tekstin e deklaratës për personat e zhdukur gjatë takimit të djeshëm të kryenegociatorëve është hapi i parë. Ne do ta miratojmë në nivel të liderëve në takimin e radhës të nivelit të lartë të cilën do ta organizoj”.

Të martën në Bruksel u takuan kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq. Pas takimit, Bislimi ka thënë se ka dakordim që të ketë takim të liderëve, ndërsa Petkoviq u shpreh se janë dakorduar për deklaratën për “personat e pagjetur”.

Në aneksin e zbatimit të Marrëveshjes për normalizim raportesh, e që u dakordua në Ohër më 18 mars në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është thënë që deklarata për personat e zhdukur duhet të miratohet si çështje urgjente.

Më 29 mars, KOHA ka raportuar se zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë se termi “personat e zhdukur me forcë” është i përfshirë në deklaratën për persona të pagjetur, ku përveç të tjerash, përfshihet marrja e informacioneve të klasifikuara nga Serbia.