Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Blinkeni refuzon të flasë për arsyet konkrete që çuan në futjen e Berishës në “listën e zezë”

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, nuk ka pranuar të flasë publikisht për arsyet konkrete që çuan te futja e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe familjarëve të tij në “listën e zezë” të SHBA-së, por ai është shprehur i gatshëm t’ia shpjegojë këtë kongresistit Lee Zeldin, duke e orientuar në sektorin ligjor të Departamentit të Shtetit, shkruan të hënën gazeta shqiptare në SHBA, Illyria.

Zeldin, në një seancë dëshmie të Blinkenit në Komitetin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan, nguli këmbë të marrë informata më konkrete se pse i është ndaluar Berishës dhe familjarëve të tij, hyrja në SHBA, por nuk mori përgjigje.

Blinken e ftoi atë dhe të tjerët të interesuar të shkojnë në sektorin ligjor dhe të mësojnë arsyet, gjë që u refuzua nga Zeldin, njofton Illyria.

Berisha së bashku me bashkëshorten, djalin dhe vajzën u futën në listën e zezë të SHBA-së, që nënkupton se nuk u lejohet hyrja në SHBA, për shkak siç u tha, korrupsionit.

Kongresisti Zeldin është bërë i njohur në komunitetin shqiptar për përpjekjet e tij për të sjellë drejtësi për vëllezërit Bytyçi, të vrarë nga forcat serbe pak kohë pas luftës në Kosovë.

Edhe SHBA-ja ua ndalon hyrjen Sali Berishës dhe familjarëve të tij Arbëri SHBA-ja ua ndalon hyrjen Sali Berishës dhe familjarëve të tij

Shqiptarët në SHBA kanë organizuar disa takime për mbledhjen e fondeve për zgjedhjen e Zeldinit kongresist.

Komiteti i Punëve të Jashtme deri më 31 dhjetor 2020 është drejtuar nga kongresisti Eliot Engel, një prej miqve më të mëdhenj të shqiptarëve.