“Fotografinë e kryetarit të Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli me presidentin e SHBA-së gjatë Lutjes së Mëngjesit në shkurt, e ka paguar Tom Duhani, shqiptar i pasur i cili jeton në SHBA dhe mban në duar disa senatorë amerikanë”, shkruan gazeta online “blic” i Beogradit, transmeton Koha.net.
Sipas këtij portali serb, Duhani, të cilin e quan biznesmen kundërthënës, ka bërë pasuri miliona dollarësh dhe sipas burimeve amerikane, siç thotë ‘blic’, ai kongresistëve amerikanë u ka ndërtuar banesa e shtëpi, dhe, gjithnjë, sipas kësaj gazete, ai është marrë vesh me ta për t’u bërë kjo fotografi e cila i ka shqetësuar shumë qarqet politike e jopolitike në Beograd.
Lidhjet e Duhanit me kongresistë, gjithnjë sipas këtij portali, dikur i kishte trajtuar edhe Komisioni Federal zgjedhor i cili në vitin 2014 kishte konfirmuar se kongresisti Gary Peters, nga vitit 2008 – 2012 kishte marrë nga Duhani 15.900 dollarë, ndërsa Peters kishte marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së restorantit të Duhanit.
Sipas portalit serb, i cili ka publikuar një foto të Duhanit me një grumbull parash dhe me dy revole, ky biznesmen është i afërt me Begjet Pacollin dha ai në opinion u paraqit pas ndalimit të Ramush Haradinajt në Francë ku dhe kishte shkuar ta vizitonte.
Portali serb thotë se Duhani është marrë me shpëlarje parash, për këtë është dënuar me burg, porse burgun s’e ka mbaruar të tërin.
