Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Blerim Shala në PIKË me Veton Surroin (VI)

Në episodin e 46-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është gazetari e aktivisti politik Blerim Shala (VI).

 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo


 

Shala: Ndërkombëtarët kishin drojë për zhvillimet në Kosovë pas vdekjes së Rugovës

1 o. më parë / 15 mar 2026 20:41
Blerim Shala

Aktivisti dhe gazetari Blerim Shala ka deklaruar se përfaqësuesit ndërkombëtarë kishin shqetësime të mëdha për situatën në Kosovë pas vdekjes së presidentit të atëhershëm, Ibrahim Rugova.

Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Shala ka thënë se pas vdekjes së Rugovës u kuptua se ndryshimet institucionale ishin të domosdoshme, pasi vendi duhej të zgjidhte një president të ri dhe të vazhdonte proceset politike.

E Surroi theksoi se Rugova nuk kishte lënë ndonjë amanet politik apo proces të qartë për pasuesin e tij në parti apo në institucione. 

Shala theksoi se ndërkombëtarët kishin frikë se vdekja e Rugovës mund të krijonte paqartësi politike dhe të vononte procesin e bisedimeve për statusin e Kosovës. Ai kujtoi se diplomati Albert Rohan kishte kontaktuar menjëherë për të pyetur nëse kjo situatë do t’i shtynte negociatat.

“Ndoshta kemi qenë optimistë edhe unë edhe ti, po doli ashtu se me 20 shkurt do të fillojnë bisedimet e Vjenës, po ka qenë një drojë e madhe e ndërkombëtarëve që me vdekjen e Rugovës tash kushedi çfarë situate do të krijohet, edhe ndoshta do zvarritet me muaj kjo edhe...”, rrëfeu Shala. 

Megjithatë, sipas Shalës, përfaqësuesit kosovarë kishin siguruar se procesi do të vazhdonte dhe se brenda një muaji delegacioni i Kosovës do të ishte në Vjenë për fillimin e bisedimeve për statusin.

Ndërkohë Surroi shtoi se stabiliteti u ruajt falë formulës së ashtuquajtur Grupi i Unitetit, që bashkoi pushtetin dhe opozitën në një delegacion të përbashkët për negociatat, pavarësisht ndryshimeve të mundshme politike në vend.

“Aty fati i madh ka qenë formula e grupit të unitetit, pra ideja që do të bashkohet pushteti kushdo që të jetë në pushtet dhe do të bashkohet opozita kushdo që të jetë në opozitë”, tregoi Surroi. 


 

Surroi: Gjatë trazirave të 2004-s pati zbrazëti të madhe të lidershipit kosovar

1 o. më parë / 15 mar 2026 20:15
Veton Surroi

Publicisti Veton Surroi ka thënë se një nga problemet kryesore që u shfaq gjatë ngjarjeve të vitit 2004 në Kosova ishte mungesa e një lidershipi të fortë politik që do të merrte përgjegjësi për situatën.
Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me aktivistin dhe gazetarin Blerim Shala, Surroi theksoi se në atë periudhë u pa një “zbrazëti e madhe e lidershipit kosovar”, pasi mungonte një figurë që do të dilte publikisht për të qetësuar situatën dhe për të marrë përgjegjësi politike.

Sipas tij, në atë boshllëk të krijuar u shfaqën edhe zëra që kërkonin qetësimin e situatës dhe ndaljen e përshkallëzimit të dhunës, por në përgjithësi mungonte një udhëheqje e qartë që do ta drejtonte vendin në atë moment të vështirë.

E Shala ka thënë se edhe në media kishte reagime emocionale dhe retorikë të fortë patriotike pas shpërthimit të trazirave të marsit 2004. Ai shtoi se liderët politikë të kohës ndodheshin përballë dilemave të vështira, pasi po t’i dënoni trazirat mund të ndikonte në popullaritetin e tyre, sidomos në prag të zgjedhjeve që priteshin të mbaheshin në vjeshtën e atij viti.

Në këtë kontekst, sipas Shalës, ish-shefi i diplomacisë evropiane Javier Solana kishte qenë shumë kritik gjatë një takimi me liderët kosovarë të asaj kohe, përfshirë Ibrahim Rugovën, Hashim Thaçin dhe Ramush Haradinajn.


 

Shala: Javier Solana e ndali opsionin për ndarjen e Kosovës pas ngjarjeve të vitit 2004

1 o. më parë / 15 mar 2026 20:10
Blerim Shala

Gazetari Blerim Shala ka deklaruar se ish-shefi i diplomacisë evropiane, Javier Solana, ka luajtur rol vendimtar në ndaljen e opsionit për ndarjen e Kosovës pas zhvillimeve të trazirave të vitit 2004.
Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Shala ka thënë se Solana kishte ardhur urgjentisht në Prishtinë për t’u takuar me lidershipin kosovar, në një kohë kur ideja për ndarjen e Kosovës kishte filluar të merrte hov në Serbi.

Sipas tij, kjo ide ishte promovuar më herët nga ish-kryeministri serb Zoran Gjingjiq, i cili në vitet 2002-2003 kishte dërguar letra te liderë ndërkombëtarë si George W. Bush dhe Tony Blair, duke argumentuar se ndarja e Kosovës ishte zgjidhja e vetme.

Megjithatë, Shala theksoi se ky opsion nuk kishte pasur mbështetje ndërkombëtare në atë kohë, por pas zhvillimeve të marsit 2004 filloi të përmendej më seriozisht në Beograd. 

Madje, sipas tij, edhe Kuvendi i Serbisë kishte miratuar një deklaratë politike që parashihte alternativa si një model kuvendi dydhomësh për Kosovën ose ndarjen e saj.