Në episodin e 40-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është gazetari e aktivisti politik Blerim Shala (III).
Shala: Mehmet Hajrizi nuk u pranua si kryeministër nga UÇK-ja e Demaçi
Gazetari dhe aktivisti Blerim Shala ka zbuluar se përpjekjet për formimin e një qeverie të përkohshme të unitetit në vitin 1998 dështuan, pasi UÇK-ja e Adem Demaçi nuk e pranuan Mehmet Hajrizin si kryeministër, ndonëse ai ishte nominuar me përkrahje amerikane dhe me pajtimin e presidentit Ibrahim Rugova.
Duke folur në podcastin PIKË, Shala ka thënë se iniciativa synonte ndaljen e luftës dhe hapjen e negociatave, përmes krijimit të një ekipi gjithëpërfshirës politik e ushtarak. Në këtë kuadër, Hajrizi u pa si unifikues, për shkak të lidhjeve të tij si me LDK-në ashtu edhe me ish-të burgosurit politikë dhe figurat e afërta me UÇK-në.
Sipas Shalës, emërimi i Hajrizit u trajtua seriozisht edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u bërë publik madje edhe në një publikim zyrtar të Departamentit amerikan të Shtetit. Megjithatë, pavarësisht takimeve dhe përpjekjeve të vazhdueshme në Kosovë dhe Shqipëri, UÇK-ja dhe Adem Demaçi nuk e mbështetën këtë propozim.
Shala theksoi se dështimi lidhej me rivalitete të brendshme, mungesën e një strukture politike unifikuese brenda UÇK-së dhe perceptimin se roli në frontin e luftës përcaktonte edhe legjitimitetin politik.
“Kanë dalë në sipërfaqe rivalitetet mes ish të burgosurish politikë, duhet me e thënë hapur. Do të thotë që Mehmeti është llogaritë njëfarë intelektuali në mesin e të burgosurve politikë. Edhe e dyta, ishte puna e frontit. A je në front, as je në front. Ne që jemi në front, kemi të drejtë më shumë se ju që s’jeni në front. Dhe ky ishte një prej qëndrimeve, e treta, s’kishte strukturë unifikuese as në UÇK. Tek në gusht të vitit 1998, bëhet drejtoria politike. Do të thotë s’ka pasë as krah politik UÇK-ja deri në gusht të 1998-s”, tregoi Shala.
Shala i bindur: Zgjedhjet më 1998 u mbajtën me insistim të amerikanëve
Gazetari dhe aktivisti Blerim Shala ka deklaruar se zgjedhjet e mbajtura në Kosovë në mars të vitit 1998 u organizuan me insistim të fortë të diplomatëve amerikanë, me qëllim që Ibrahim Rugova të legjitimohej sërish si partner politik për negociatat e ardhshme mbi statusin e Kosovës.
Duke folur në podcastin PIKË, Shala ka thënë se në atë periudhë diplomatët perëndimorë po kërkonin një bashkëbisedues të qartë në Kosovë, në një kohë kur situata në terren po përshkallëzohej drejt luftës.
“U mbajtën zgjedhjet për herë të dytë, në mars të 1998-s. LDK-ja fitoi bindshëm, por zgjedhje realisht nuk pati në Drenicë dhe në zonat e luftës. S’kishte gjasa të kishte zgjedhje në ato rrethana”, ka thënë Shala.
Sipas tij, mbajtja e zgjedhjeve në kushte lufte krijoi një çrregullim të ri politik në Kosovë, por amerikanët këmbëngulën që procesi të zhvillohej për të pasur një partner të sigurt negociues.
“Kishin kaluar gjashtë vjet nga zgjedhjet e vitit 1992 dhe amerikanëve u duhej një partner që të ishte i gatshëm të negocionte për statusin e Kosovës. Kjo ishte logjika”, theksoi ai.
Megjithatë, Shala u shpreh se me kalimin e kohës u bë gjithnjë e më e qartë se presidenti Rugova ishte i zhveshur nga fuqia reale politike, për shkak të zhvillimeve në terren dhe rolit gjithnjë e më të madh të UÇK-së.
Në këtë kontekst, ai dhe publicisti Veton Surroi theksuan se kishin insistuar vazhdimisht se pa përfshirjen e UÇK-së nuk mund të kishte palë kosovare në negociata.
“Prej qershorit të vitit 1998 u pa qartë se pa rolin e UÇK-së nuk ka negociata. Kjo ka qenë veçanërisht këmbëngulje e profesor Fehmi Aganit, por edhe e jona”, zbuloi Shala.
Sipas Shalës, strategjia amerikane në atë kohë zhvillohej në dy fronte: ndaljen e masakrave dhe tragjedive në Kosovë përmes presionit ndaj Serbisë, si dhe bashkimin e faktorit politik shqiptar.
Shala: Amerika e kishte të qartë – pa Kosovën, s’ka njohje të Jugosllavisë
Publicisti Veton Surroi dhe gazetari e aktivisti Blerim Shala kanë rikujtuar në podcastin PIKË momentet kyçe që shënuan shenjat e para të lëvizjes së armatosur në Kosovë, si dhe rolin vendimtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në raport me statusin e Kosovës pas Marrëveshjes së Daytonit.
Duke folur për vitin 1991, Surroi dhe Shala treguan se rrethimi i parë i familjes Jashari në Prekaz ishte sinjali i parë i një përshkallëzimi serioz të situatës. Surroi tregoi se ai, bashkë me Fehmi Aganin, Zenun Çelajn dhe Bajram Kelmendin, kishin shkuar për të biseduar me policinë serbe me qëllim të shtendosjes së situatës, pasi Prekazi ishte i rrethuar plotësisht dhe ishin vendosur snajperë në pozicione dominuese.
Sipas Surroit, falë ndërhyrjes rrethimi u tërhoq dhe familja Jashari shpëtoi atëherë, ndonëse situata tregonte qartë se embrionet e një lëvizjeje të armatosur tashmë ekzistonin.
Shala theksoi se edhe pse UÇK-ja ende nuk ishte e formalizuar, raste si vrasja e policëve në Komoran në vitin 1993 dhe pakënaqësia e thellë me ezaurimin e lëvizjes paqësore kishin krijuar një periudhë të ndërmjetme – pa negociata, pa luftë të hapur, por me frustrim të madh shoqëror.
Një kthesë e rëndësishme, sipas bashkëbiseduesve, ndodhi pas Marrëveshjes së Daytonit. Shala u shpreh se për shumicën e vendeve evropiane, me Daytonin llogaritej se kriza në ish-Jugosllavi kishte përfunduar, ndërsa Slobodan Millosheviqi po trajtohej si “paqendërtues” dhe “paqegarantues”.
Megjithatë, ai nënvizoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin i vetmi vend perëndimor që refuzoi ta njohë Jugosllavinë, duke vendosur të ashtuquajturin “muri i jashtëm i sanksioneve”.
“Amerika e kishte të qartë se nuk ka njohje të Jugosllavisë pa zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Ky ishte parakushti kryesor”, theksoi Shala, duke shtuar se kjo qasje amerikane u nënvlerësua fillimisht nga evropianët.