Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili është edhe kryenegociator në procesin e dialogut me Serbinë, ka bërë dallimin e presidentit serb Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.
Duke bërë dallimin mes tyre, ai ka thënë se Vuçiqi nuk ka aspak kredibilitet para ndërkombëtarëve, kurse Kurti sipas tij, nuk ka dhënë premtime në Bruksel e se është i “pastër” para tyre.
“Ne kemi shumë marrëveshje të arritura në Bruksel dhe deri tani ka shumë ngecje në to, deri tani nga Serbia ka mospërmbushje të 11 marrëveshjeve. Pala e Serbisë ka zero kredibilitet të kërkojë diçka nga pala e Kosovës, kur vetë i ka minuar marrëveshjet në Bruksel me mosimplementim. Duhet të bëhet një dallim cilësor, në tavolinë të bisedimeve kemi dy krerë të shteteve, Vuçiq dhe Kurti, por dallimi kryesor ka të bëjë me atë se Vuçiq i cili është përgjegjës për shkeljen e 11 marrëveshjeve, është personi që i ka nënshkruar të njëjtat. Në momentin e nënshkrimit ai ka dhënë një lloj premtimi në Bruksel për implementimin e tyre, me mosimplementimin e ka certifikuar veten si palë destruktive. Në anën e Kosovës nuk kemi asnjë marrëveshje që e ka nënshkruar Kurti, në asnjë moment nuk ka dhënë ndonjë premtim. Në tavolinë janë dy persona, personi i parë që ka zero kredibilitet dhe kemi një person që nuk ka dhënë premtime për marrëveshje”, ka shpjeguar Bislimi.
Në Deskun e KOHËS, Bislimi ka thënë se mesazhi kryesor që ka dhënë përfaqësuesi special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, gjatë vizitës në Kosovë, ka qenë që BE-ja do të jetë lehtësuesi i vetëm i bisedimeve me mbështetjen e SHBA-së.
Bislimi ka thënë se mesazhi i tyre “është rikonfirmim se duhet dinamikë e re në dialog”.
Ai ka treguar se në mars pritet të mbahet takimi mes Kurtit dhe Vuçiqit.
“Duhet të krijojmë sa më shpejtë kushtet që krerët e shtetit të mblidhen në Bruksel dhe të bisedojmë për elementet që duhet të përfshihen në marrëveshjen e përgjithshme. Është problem të parashikohet, dakordimi im me Lajçakun është që gjatë muajit shkurt të kemi një takim në Bruksel apo diku tjetër në nivel kryenegociatorësh që të shohim se në ç’masë mund të sigurojmë një takim të tillë gjatë muajit mars”.
Synimi ynë, shtoi Bislimi, është që të mbahet sa më parë takimi e më pas fokusimi të jetë tek agjenda e integrimeve evropiane.
Marrë parasysh zgjedhjet në Serbi në prill, Bislimi ka thënë se kjo tregon se probabiliteti që “ne të jemi të suksesshëm në aranzhimin e takimit në mars nuk është edhe shumë i madh”. “Ideja jonë është që dinamika e dialogut nuk do të duhej të dominohej apo nënshtrohet dinamikave zgjedhore”, përfundoi ai.
Bislimi ka thënë se nuk mund të qartësohen të gjitha çështjet me vetëm një takim. Tha se e rëndësishme është “nënshkrimi i dy deklaratave për të cilat është punuar, ajo për të pagjeturit dhe mossulmim”.
Për përmbajtjen e deklaratave tha se nuk mund të flasë dhe se nuk zëvendësohen me marrëveshjen gjithëpërfshirëse. Bislimi ka theksuar se ka dakordim nga pala kosovare për këto deklarata. Nënshkrimi i deklaratave sqaroi se tregon aktivizimin e palëve që ndryshon dinamikën dhe përkushtimin e të dyja shteteve. Me rëndësi e quajti nënshkrimin e deklaratës që ndalon sulmin e ndërsjellë të shteteve. Tha se nuk i “druhen” një veprimi të tillë nga Serbia, por se është e rëndësishme për frymën e bisedimeve “nëse të dy palët tregojnë se gjatë kësaj periudhe do të flasin fjalët e jo MIG-at nëpër kufi”.