Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bislimi thotë se pushteti në Serbi po i përdor mediat e veta për të përhapur panik

“Shqiptarët po përgatisin ferrin për Kosovën dhe Metohinë” titullohet një artikull i një mediumi serb të cilin e ka shpërndarë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, të shtunën në Twitter duke treguar se janë mediumet e afërta me qeverinë serbe që po përhapin panik te qytetarët serbë.

“Ky postim lidhet me një uebfaqe mediatike të afërt me shtetin”, është mbishkrimi që Twitteri ua ka vënë mediumeve të konsideruara të afërta me pushtetin e Serbisë. Ndër to në listë ka qenë edhe “B92” i cili ka publikuar deklaratën e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Nikola Selakoviq se “shqiptarët po përgatisin ferrin për Kosovën”.

Image

“Prodhimi i tepërt i artikujve të tillë të sponsorizuar nga qeveria në mediat serbe, është ilustrim i përsosur i frikësimit si strategji kryesore e qeverisë në shfrytëzimin e turpshëm të mediave për përhapjen e panikut dhe promovimin e ‘akteve heroike’ të udhëheqjes shtetërore”, ka shkruar Bislimi të shtunën.

Duke komentuar vendimin e Qeverisë së Kosovës që nga 1 gushti të nisë reciprociteti për letërnjoftimet si dhe afati i fundit për vendosjen e targave RKS në vend të targave ilegale, Selakoviq të shtunën tha se “pala shqiptare po përgatit ferrin në ditët në vijim”.

Disa orë para kësaj deklarate, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një video të postuar në Facebook u kërkoi serbëve të Kosovës besim e vullnet për të ndërruar targat ilegale e që ky vendim dhe ai për reciprocitetin mbi letërnjoftimet të mos kuptohen ndryshe “përveçse si përgjigje ndaj shkeljeve të të drejtave tuaja, si nënshtetas të Kosovës”.