Zëvendëskryeministri i Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka theksuar se vendimtare për gjetjen e personave të zhdukur është hapja e arkivave shtetërore të Serbisë.
Duke raportuar në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, Bislimi ka thënë se i gjithë procesi i vrasjes, varrosjes dhe bartjes në Serbi ka kërkuar një logjistikë të madhe, e këtë, sipas tij, e ka bërë vetëm ushtria dhe policia serbe.
“Pas kërkesës sime që në Beograd të hapen arkivat shtetërore të Serbisë, Petkoviqi (drejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë) ka nxjerr kërkesën që të hapen arkivat e UÇK-së, duke u bazuar në fusnotën e një veprimtari, por ne kemi deklaruar se në Kosovë nuk ka arkiva të UÇK-së, por ka arkiva shtetërore, nga ana jonë nuk ka asgjë komprometuese. Në asnjë rast dhe rrethanë nuk është dakorduar për arkivat e UÇK-së, për të cilat nuk ka dëshmi se ekzistojnë”, ka deklaruar ai.