Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bislimi fton ish-ministrat e financave dhe guvernatorin për të diskutuar rreth pakos për rimëkëmbjen e ekonomisë

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, u ka shkruar letër të gjithë ish-ministrave të kësaj ministrie, dhe Guvernatorit të BQK-së Fehmi Mehmeti, të cilëve, u ka bërë ftesë për konsultim rreth Pakos për Rimëkëmbjen e Ekonomisë.

Bislimi sugjeron që takimin ta mbajnë ditën e martë, me 21 prill 2020, në orën 10 në ndërtesën qendrore të Qeverisë së Kosovës.

Bislimi u thotë se “padyshim që kriza nëpër të cilën po kalojmë është në radhë të parë shëndetësore, dhe rrjedhimisht mbrojtja e jetës së qytetarit përbën prioritetin kryesor të angazhimeve të secilit prej nesh”.

“Por, përtej natyrës shëndetësore, dëmi i shkaktuar ekonomisë sonë dhe mirëqenies së familjeve tona është shumëfish më i madh se sa kostoja e drejtpërdrejtë shëndetësore. Për të adresuar sfidat momentale si pasojë e masave të Qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës, Ministria e Financave dhe Transfereve ka dizajnuar një pako emergjente fiskale, e cila synon mbrojtjen e qytetarëve nga rreziku i ekspozimit ndaj varfërisë ekstreme, mbrojtjen e të ardhurave të të punësuarve në sektorin privat, mbrojtjen e kompanive në vështirësi financiare si dhe mbrojtjen e shëndetit financiar të komunave tona”, u shkruan Bislimi.

Bislimi thotë se sektori privat dhe tregu i punës do të kenë nevojë për stimulim shtesë.

“Ne jemi të vetëdijshëm, që sektorit privat por edhe amvisërive do i duhet një periudhë paksa më e gjatë kohore deri në rehabilitim të plotë dhe kthim në kapacitetet e shfrytëzuara në fillim të pandemisë, që nënkupton se rimëkëmbja e llojit “V” mund të kërkojë një periudhë kohore përtej këtij viti kalendarik”, u shkruan Bislimi.

Rrjedhimisht, shkruan Bislimi, si sektori privat, ashtu edhe tregu i punës do të kenë nevojë për stimulim shtesë fiskal e monetarë, masa këto që duhet të jenë të mire-përgatitura, mire-targetuara dhe mire-implementuara.

Edhe Bislimi prezanton pakon e dytë për rimëkëmbjen e ekonomisë Arbëri 6 v. më parë Bislimi prezanton pakon e dytë për rimëkëmbjen e ekonomisë

“Për më tepër, do ketë nevojë për një bashkërendim të ideve edhe me të gjithë ata që në një mënyrë apo tjetër pritet të jenë përfitues të “Pakos për Rimëkëmbjen e Ekonomisë”, por edhe me ekspertë të shumtë, si vendor ashtu edhe nga mërgata jonë. Në këtë kontekst e shoh të rëndësishme që të ulemi bashkë, dhe si bartës të pozicionit të njëjtë publik, por në periudha të ndryshme kohore, të diskutojmë për fokusin primar të pakos për rimëkëmbjen e ekonomisë, kornizën monetare, organigramën implementuese dhe burimet e mundshme të financimit. E shoh si tejet të rëndësishme që në këtë fazë të dëshmojmë gatishmëri maksimale për bashkëpunim duke lënë anash cilindo mospajtim eventual politik a personal. Sugjeroj që takimin ta mbajmë ditën e martë, me 21 prill 2020, me fillim në ora 10 në sallën nr.38 në ndërtesën qendrore të Qeverisë”, shkruan Bislimi.

Në fund, Bislimi thotë se pret konfirmim nga ana e tyre.

Letrën ia ka dërguar ish-ministrave Bedri Hamza, Avdullah Hoti, Besim Beqaj, Haki Shatri, Ahmet Shala dhe Ali Sadriu, si dhe Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti.