Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bislimi: Diskutimi në Bruksel s’u zhvillua rreth dinarit apo Rregullores së BQK-së

Besnik Bislimi

Foto: Arkiv

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka njoftuar ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier për takimin e së martës në Bruksel.

Bislimi njoftohet se e ka informuar Hovenierin që diskutimi i djeshëm me palën serbe nuk është zhvilluar rreth dinarit apo rregullores, e cila sipas tij "nuk është çështje për diskutim apo kontestim, por rreth mënyrës së zbatimit të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës”.

Gjithashtu ai i ka thënë ambasadorit amerikan se në takimin e kryenegociatorëve të mërkurën në Bruksel, pala serbe u deklarua kundër zbatimit të marrëveshjes dhe formalizimit të saj.

“Zëvendëskryeministri Bislimi e informoi ambasadorin Hovenier mbi atë se çfarë u trajtua në këtë takim, fokus i së cilës ishte Marrëveshja Bazike dhe Aneksi Implementues i Ohrit dhe formalizimi sa më i hershëm. Ai shtoi se për ne marrëveshja është valide në tërësinë e saj, gjë të cilën ambasadori Hovenier e konfirmoi nga pozicioni i tij. Njëkohësisht, zëvendëskryeministri Bislimi e informoi ambasadorin se delegacioni i palës tjetër, ritheksuan gjatë takimeve të djeshme qëndrimin e Serbisë kundër zbatimit të marrëveshjes dhe rrjedhimisht edhe formalizimit të saj”, thuhet në komunikatën e dërguar mediave nga Qeveria.

Bëhet e ditur se janë trajtuar edhe një sërë temash të tjera gjatë takimit të djeshëm, duke përfshirë artefaktet që Serbia duhet t'i kthejë Kosovës, si dhe shkeljet që po i bëjnë në disa marrëveshje si ajo e energjisë dhe telekomunikacionit, apo në rastin e tentimeve të vazhdueshme të bllokimit të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, për çka potencohet në komunikatë se, ambasadori Hovenier shprehu qëndrimin e SHBA-së kundër tentativave të tilla.