Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin e Republikës së Çekisë, Pavel Bilek të hënën, me të cilin kanë biseduar mbi zhvillimet e fundit në veri të vendit.
Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se në këtë takim, Bislimi ka thënë se Kosova është shtet sovran që ndjek parimet demokratike e vlerat evropiane e perëndimore, dhe është në të drejtën e saj legjitime, për t’i shërbyer të gjithë qytetarëve të vendit, pa dallim.
Më tej bëhet e ditur se palët kanë konfirmuar marrëdhëniet e mira bilaterale dhe punën e zhvilluar gjatë mandatit të ambasadorit Bilek përmes thellimit të bashkëpunimit mes vendeve, si dhe vizitave të shumta diplomatike të zhvilluara si në Pragë e po ashtu dhe në Prishtinë.
U theksua bashkëpunimi në fusha kyçe, veçanërisht sektori i energjisë së ripërtëritshme dhe menaxhimi i ujërave të zeza.
“Si një përkrahëse e madhe e rajonit, Presidenca Çeke e Këshillit të BE-së gjatë vitit të kaluar ka qenë ndër më të suksesshmet. Vendet e rajonit avancuan në rrugën e tyre drejt BE-së, përfshirë Kosovën e cila arriti të ketë vendimin politik dhe konsensusin e shteteve anëtare mbi liberalizimin e vizave si dhe zyrtarisht pranuan në Pragë aplikimin tonë për anëtarësim në BE. Puna mes vendeve tona do të vazhdojë edhe në të ardhmen në drejtim të inkurajimit të rritjes së investimeve çeke në Kosovë dhe vizitave biznesore nga miqtë tanë në vendin tone”, thuhet në njoftim.