Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Naser Sahiti, ka thënë se viteve të fundit, ka rënë numri i studentëve të regjistruar në Fakultetin Ekonomik dhe në atë Juridik.
Sahiti ka thënë në emisionin “Sot” të KTV-së se tani fluksi i studentëve në këto dy fakultete të cilat zakonisht kanë pasur numrin më të madh të tyre, është më lehtë i përballueshëm, derisa nuk ka dhënë arsye për këtë rënie.
“I kemi disa fakultete të cilat tradicionalisht kanë regjistruar numër të madh të studentëve, Fakulteti Ekonomik, Fakulteti Juridik, Fakulteti i Edukimit ka kërkesë të madhe por nuk regjistron numër aq të madh të studentëve ndërkaq dy të parat viteve të fundit po ashtu shënojnë një rënie të numrit të studentëve të regjistruar që nënkupton nëse ai fluks i studentëve është përballuar në të kaluarën duke pasur parasysh se numri i personelit akademik është pak a shumë i njëjti, tash edhe më lehtë përballohet ky numër që është regjistruar”, ka thënë Sahiti.
Ai po ashtu ka folur edhe për mungesë të personelit administrativ në UP, duke thënë se kjo po rezulton me shërbime jo të mira për studentët.
“Kemi përfunduar një konkurs për personel akademik në kuadër të të cilit ne kemi punësuar 71 personel të tillë akademik. Kemi një problem më të madh me personelin administrativ, në atë fushë për dy tri vite nuk kemi realizuar ndonjë konkurs me sukses nëpërmjet të cilit kemi mundur t’i rekrutojmë kjo ka bërë që situata të jetë e rënduar sa i përket personelit administrativ e krejt kjo rezulton në shërbime jo shumë të mira për studentët, gjithsesi jemi duke punuar që ta zbusim atë problem dhe besoj që shumë shpejt do të hapim konkurs edhe për rekrutim të personelit administrativ”, është shprehur rektori Sahiti.
-
Për 10 vjet numri i studentëve në UP ra për 32 për qind
-
Sahiti: Për tri ditë kanë aplikuar më shumë se 1.800 kandidatë për regjistrim në UP
-
Mbi 2 mijë maturantë në garë për 462 vende në Mjekësi
-
Në drejtimet Fizikë, Kimi e Filozofi më pak aplikues sesa vende të lira
-
Pupovci: Rënia e numrit të studentëve ka shumë faktorë që s’po adresohen siç duhet nga institucionet