Arbëri

Bie niveli i respektimit të Ligjit kundër duhanit

Prishtinë, 28 qershor - Diskutimi i dytë i hapur me qytetarët mbi Ndikimin e duhanpirjes në shëndetin seksual riprodhues, i organizuar nga Koalicioni K10, tregoi për rreziqet që shkakton duhanpirja tek gratë dhe burrat e moshave të ndryshme.

Gjatë diskutimit u tha se shumë studime botërore e mbështesin faktin që duhanpirja dëmton pothuajse çdo aspekt të shëndetit seksual dhe riprodhues, si dhe shëndetin e fëmijëve.

Dr. Sami Uka, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se “falë aprovimit të Ligjit kundër duhapirjes, viteve të fundit është vërejtur një trend pozitiv në uljen e shkallës së konsumimit të duhanit. Studimet e fundit kanë treguar që ka ulje të përdorimit të duhanpirjes, si dhe të ekspozimit të fëmijëve në tym të duhanit.”

Ndërsa, Dr. Jasmina Tolaj, gjinekologe, sqaroi duhanpirja shkakton lindje të parakohshme, foshnje me peshë të vogël, si dhe dëmtime të ndryshme të organeve.

Sipas Faik Hotit, nga Ministria e Shëndetësisë tha se “Ligji në fuqi ndalon 100% pirjen e duhanit në hapësira të mbyllura. Sipas tij, pas vitit 2013, kur ligji ka qenë në majat e zbatueshmërisë, ka pasur ngecje te zbatimit. Kjo ka ndodhur si pasojë e neglizhencës dhe të vëmendjes së pamjaftueshme nga institucionet përkatëse në monitorim.” Ndërkaq, Dr. Florina Ushaku Grezda, mjeke familjare nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, tha se vëmendja kundër duhanprijes nuk duhet të shënohet vetëm me 31 maj, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Duhanit, por kjo temë duhet të jetë në fokus gjatë tërë vitit.

Diskutimet e tilla të hapura me qytetaret do të vazhdojnë të organizohen nga Koalicioni K10 që të adresojnë tema të shëndetit seksual dhe riprodhues me qytetarët.

Ky koalicion përbëhet nga dhjetë organizata joqeveritare për shëndetin dhe të drejtat seksuale dhe riprodhuese, ndërsa përkrahet nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara (UNFPA), Zyra në Kosovë, dhe nga Ministria e Shëndetësisë.