Pejë, 27 gusht – Nga viti në vit interesimi për regjistrim në drejtimet e shkollës së mesme ekonomike “Ali Hadri” në Pejë po bie. Për këtë vit shkollor në 18 profile në 8 drejtime në klasat e dhjeta në këtë shkollë, Drejtoria e Arsimit kishte bërë publike në prag të afatit të parë të regjistrimit në qershor se ka planifikuar të regjistrojë 728 nxënës, prej tyre 84 nxënës në tri profile në gjuhën boshnjake.
Mirëpo ky numër është “korrigjuar” nga drejtori i kësaj shkolle, Arif Ademaj, me pohimin se ka pasur një keqkuptim mes shkollës dhe Drejtorisë për numrin e nxënësve të planifikuar për regjistrim.
“Plani ka qenë të regjistrohen 350 nxënës në klasat e dhjeta në shkollën tonë”, thotë Ademaj. Por as këtij numri të planifikuar as për së afërmi nuk i është afruar numri i aplikimeve. Në afatin e parë kishin aplikuar vetëm 96 semimaturantë. Edhe më keq ka dalë afati i dytë javën e kaluar, kur për tri ditë të konkursit të hapur vetëm 10 nxënës ka dorëzuar dokumentet e tyre për regjistrim. Interesimi ka qenë kryesisht për drejtimet ekonomike, juridik, hoteleri dhe teknologji ushqimore.
Derisa në drejtimet e tjera të bujqësisë dhe veterinari, sipas drejtorit, ka mjaftë vende të lira. “Në afatin e dytë nuk ka pasur më shumë se 10 nxënës që janë paraqitur. Në afatin e parë kanë qenë rreth 100. Krejt 110 nxënës kanë treguar interesim të regjistrohen në shkollën tonë. Tash ndoshta paraqitet edhe ndonjë nxënës tjetër derisa të nisë procesi mësimor.
Ne do ta mbajmë mundësinë e hapur që të paraqiten nxënësit edhe pse është përmbyllur afatit i dytë. Pra, kush dëshiron të regjistrohet, mundësitë janë që t’i dorëzojnë dokumentet”, shpreson Ademaj që deri më 2 shtator, kur fillon mësimi, të paraqitet edhe ndonjë nxënës tjetër për regjistrim në klasën e dhjetë.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")
-
Fushata senzibilizuese nuk rriti interesimin e semimaturantëve për drejtimet e “Ali Hadrit”
-
Sivjet 89 nxënës më pak për regjistrim në klasat e dhjeta në Pejë
-
Banorët kërkojnë ndërtimin edhe të një shkolle për tri lagje të mëdha të Pejës
-
Shkolla “Ali Hadri” në Pejë pasurohet edhe me kabinetin e hotelerisë
-
Mosakreditimi i programeve në Agrobiznes demotivon nxënësit e Bujqësisë në Pejë