Kryetari i rizgjedhur i Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha, ka thënë se do të punojë me të gjitha partitë politike për të mirën e komunës. Komentet ai i ka bërë në mbledhjen inauguruese ku kanë dhënë betimin këshilltarët e rinj të Kuvendit Komunal dhe kryetari Berisha.
Mbledhjen e udhëhoqi anëtari më i vjetër i Kuvendit të Komunës, Hasan Ismajli nga radhët e AAK-së. Gjatë seancës u bë betimi i 27 këshilltarëve të rinj të kësaj legjislature që kanë dalë si rezultat nga zgjedhjet lokale të 17 tetorit të këtij viti.
“Pas nënshkrimit të deklaratës së betimit nga këshilltarët e rinj, para anëtarëve të Kuvendit betimin e ka dhënë edhe kryetari i komunës z.Burim Berisha i cili në fjalën e tij përshëndetëse falënderoi qytetarët e komunës së Fushë-Kosovës për besimin e dhënë duke shtuar se do të jetë i gatshëm të bashkëpunojë me të gjithë qytetarët e Fushë-Kosovës dhe me të gjitha strukturat e partive pa dallim në të mirë të zhvillimit të mëtutjeshëm të komunës së Fushë-Kosovës”, thuhet në njoftimin e Komunës së Fushë-Kosovës.
Gjatë kësaj seance është zgjedhur edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal. LDK-ja si partia më e madhe e dalë nga zgjedhjet e 17 tetorit e ka propozuar Ali Ismailin nga radhët e Partisë së Drejtësisë për kryesues të Kuvendit.
Ndërsa, zëvendëskryesues nga radhët e komuniteteve është zgjedhur Bashkim Krasniqi.
Nga 27 ulëse sa i ka Kuvendi i Fushë-Kosovës, në zgjedhjet e 17 tetorit LDK i ka fituar 10 ulëse, LVV 6, PDK 4, IFKEA 2 dhe me nga 1 këshilltar përfaqësohen LN, PD, NISMA, AAK dhe GIS.