Avokatja e kompanisë “AgroKosova Holding”, Shpresa Berisha-Rexhepi, thotë se vendimi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit është ndikuar nga ish-aksionari “Gruppo Vinicolo Fantinel”.
E ftuar në Interaktiv të KTV-së, Berisha-Rexhepi, thotë se Fantinel gjeti hapësirë në mediat e Kosovës që të kërkonte publikisht tërheqjen e aksioneve dhe Agjencia e Privatizimit ka marrë vendim vetëm një muaj nga deklaratat e tij. Me këtë rast ajo thotë se kërkesa e “Gruppo Vinicolo Fantinel”, kaloi nëpër zyret e Agjencisë së Privatizimit, Bordit të drejtorëve dhe është marrë vendimi ashtu siç ka kërkuar ish-aksionari Fantinel.
“Ne gati një dekadë i qëndruam stuhive të grupeve të ndryshme të interesit, përfshirë edhe partnerin tonë z.Fantinel, i cili gjeti hapësirë në mediat e Kosovës që të shkarkonte komplekset e veta ngase humbi betejat në Gjykatat e Kosovës. Nëse nisemi nga ky grup i interesit, lidhemi me z.Fantinel, lidhemi edhe me emisionin e fundit ku i njëjti kërkoi publikisht tërheqjen e aksioneve dhe marrja e vendimeve nga Agjencia i Privatizimit hiq më pak se një muaj që nga deklarata e tij atëherë vjen te konkludimi që kërkesa e z.Fantinel kaloi nëpër zyret e Agjencisë së Privatizimit, Bordit të drejtorëve dhe u mor vendimi ashtu siç kërkoi z.Fantinel”, ka thënë ajo.
Sipas Berisha-Rexhepit, i njëjti ka vënë në lajthitje organet e rendit, sikurse sot edhe më parë kur në mënyrë të kundërligjshme i ka dëbuar nga ndërmarrja.
“Ne jemi ballafaquar me fuqinë e tij ngase ne kemi qenë të dëbuar në mënyrë të kundërligjshme nga i njëjti, prandaj duke i falsifikuar dokumentet e gjykatës që unë sot nuk i kam sjellë, ai ka arritur t’i sjellë në lajthitje organet e rendit sikurse sot dhe në atë mënyrë ka arritur që të na dëbonte në atë kohë nga ndërmarrja. Atëherë Gjykatat morën vendim, na kthyen në ndërmarrje dhe kemi vazhduar të punojmë”, ka thënë ajo.
Shpresa Berisha-Rexhepi, e ka mohuar pretendimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit se kjo kompani nuk ka investuar 8 milionë euro dhe se nuk ka punësuar numrin që ishte zotuar me rastin e privatizimit. Ajo tha se AKP-ja nuk i është përgjigjur ftesave dhe parashtresave të tyre për të dalë në terren dhe për të parë punën e kompanisë.
Edhe
Ndërmarrja “Agro Kosova” i kthehet privatizuesit të saj
“AKP-ja shumë herë nuk u është përgjigjur ftesave tona, parashtresave tona, kërkesave tona për të dalë në vend dhe për të parë se çka ka ndodhur në AgroKosovë. AKP-ja nuk e sheh pasi nuk do me pa. Pas 15 vjetëve kur janë bërë 30 milionë euro investime vjen dhe ulet në vendin e pronarit, duke e angazhuar edhe Policinë e Kosovës pa mandat që t’i asistojë dhe me dhunë të na nxjerrë nga prona jonë. Ne do te ushtrojmë padi sipas udhëzimit juridik”, ka thënë avokatja.
Agjencia Kosovare e Privatizimit të enjten ka marrë vendim për tërheqjen e aksioneve dhe vënien nën administrim të drejtpërdrejtë të ndërmarrjes “AgroKosova Holding”, apo ish ndërmarrja shoqërore “NBI Suhareka”.
Sipas vendimit të AKP-së, kjo ndërmarrje është privatizuar më datë 27 gusht 2007 nga Blerësit “Gruppo Vinicolo Fantinel” dhe “QMI”, ku për shkak të mospërmbushjes së zotimeve të marrëveshjes dhe shkeljeve të rënda të kushteve të kontratës, AKP-ja thotë se është detyruar ta vë nën administrim të drejtpërdrejtë këtë ndërmarrje.