Arbëri

Shteti kthen AgroKosovën "me polici"

Për rikthimin e ndërmarrjes “Agrokosova Holding” nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit është dashur ndihma e Policisë së Kosovës.

Një gjë e tillë ndodhi për shkak që, sipas AKP-së, privatizuesit nuk kanë respektuar zotimet e privatizimit..

Shumë zyrtarë policorë ishin të pranishëm jashtë objektit, e brenda në objekt ishte një nga privatizuesit Haziz Tafa dhe zyrtarë të tjerë që kanë menaxhuar ose përfaqësuar këtë ndërmarrje.

Ata nuk pranuan ta lëshojnë objektin, e për këtë Policia e Kosovës u desh që t’i nxjerrë dhunshëm nga aty.

Por para së ta bënin një gjë të tillë zyrtarët policorë, kërkuan nga mediat që ta lëshonin objektin.

Pa ndonjë rezistencë e mosrespektim vendimi për aq sa shihet në pamje, policët arrestuan kameramanin e “Ekonomia Online”.

Ai u lirua pas intervistimit në Stacion Policor, e kundër arrestimit të tij doli komuniteti i gazetarëve e edhe Qeveria. Dy policë u suspenduan e IPK-ja nisi hetim edhe për 5 të tjerë.

Pa praninë e kamerave, përfaqësuesit e kësaj ndërmarrjeje e lëshuan objektin.

Haziz Tafaj, që ka qenë një nga aksionarët kur ishte privatizuar kjo ndërmarrje, ka thënë që AKP-ja ua ka uzurpuar pronën.

“Vendimet e AKP-së nuk janë urdhër për neve, janë të jashtëligjshme dhe ne kemi thënë që vullnetarisht nuk e lirojmë objektin. Policia në fund tha nëse nuk e lironi me urdhër të AKP-së ne jemi të obliguar me ju largu me dhunë. Ne nuk kemi ardhur këtu me rezistu në pronën tonë me Policinë e Kosovës, sepse nuk kemi as atë qëllim. Kur policia thotë se ne do t’ju largojmë me dhunë jemi detyru me dal është largim i dhunshëm”, ka thënë Tafaj.

E pranishme gjatë gjithë zhvillimeve ishte edhe avokatja Shpresa Berisha-Rexhepi.

“Nuk ka pasur lirim me vullnetin tonë të lirë pasi në asnjë vendim të AKP-së nuk shënohet nxjerrja me dhunë. Sot policia në mënyrë të kundërligjshme duke asistuar kanë ekzekutuar një vendim, i cili nuk është i ekzekutueshëm”, është shprehur Berisha-Rexhepi.

Të hënën, AKP-ja ka vendosur që këtë ndërmarrje ta kthejë në mbikëqyrje të saj. Kjo për shkak që, sipas këtij institucioni, privatizuesi nuk ka përmbushur vlerën e investimeve të zotuara që ishin rreth 8 milionë euro, e kanë dështuar edhe në përmbushjen e zotimit për punësime që, sipas AKP-së, e kanë arritur vetëm në masë 27 për qind.

AKP-ja është zotuar që punëtorët aktualë do ta vazhdojnë punën e po ashtu edhe bujqit që kanë raporte kontraktuese me këtë kompani do ta vazhdojnë bashkëpunimin.