Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar për herë të parë pas masës së arrestit shtëpiak që është marrë ndaj tij.
Vendimin e marrë nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Berisha e ka quajtur arrest politik që është dëshmi e hakmarrjes politike të kryeministrit Edi Rama.
“Kjo masë arresti politik, dëshmi e një hakmarrje politike të verbër të Edi Ramës, nuk shpreh vetëm urrejtjen e tij të trashëguar ndaj kundërshtarit, por mbi të gjitha shpreh frikën, tmerrin që ne të dashur miq i kemi kallur atij deri në palcë dhe botës së tij të krimit me betejën tonë pa kthim. Ai që mendon se asgjësoi pluralizmin dhe opozitën do ketë fatin që populli opozitar i rezervon armiqve të lirisë, diktatorëve”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas tij, ky vendim i marrë ndaj tij do të jetë i përkohshëm.
“Së fundmi, çdo masë që merr ky pushtet ndaj meje dhe opozitës është e përkohshme. Ajo që mbetet e pamposhtur është mosdorëzimi ynë dhe vendosmëria jone që izolimin e opozitës ta kthejmë në betejë lirie dhe në fitore për shqiptarët”, ka shkruar më tej ai.