Analisti politik Belul Beqaj ka thënë se është i zhgënjyer me qasjen e pushtetit të Kosovës karshi Asociacionit.
Ai veçanërisht ka thënë se është zhgënjyer me deklarimet e presidentes Vjosa Osmani. Së fundi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk do të lejojë bosnjëzimin e Kosovës, ndërsa edhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla ka thënë se nuk do të implementohet Asociacioni.
“Presidentja Vjosa më ka zhgënjyer shumë, kam menduar se ajo nuk bjen në grackë të kërkesave të çështjes së implementimit të marrëveshjes së komunave me shumicë serbe. Ajo nuk ishte refuzuese, tha do të implementohet në përputhje me Kushtetutën, korrekte deri këtu, por më pas tha se do t’i përngjajë OJQ-ve. Nuk ishte nevoja të thoshte këtë. Mendoj se kjo çfarë kanë bërë zyrtarët tanë, është gabim i jashtëzakonshëm. Pushteti është në një situatë ku po e shohin se ajo fitorja plebishitare ka marrë rënie rapide. Pra Kurti e Vetëvendosja pritën rreth 15 vjet për të marrë pushtetin plebishitar, e për më pa se tetë muaj e përgjysmoi elektoratin. Një elektorat është ky. Nuk mund të gjejmë arsyetime”, ka thënë Beqaj në Interaktiv të KTV-së. “Ai dokument është ratifikuar në Kuvend. Çfarë po ndodh me sovranitetin e shtetin nëse pikërisht ky pushtet nuk respekton një dokument që ka dalë nga sovrani i shtetit”.
Beqaj në anën tjetër ka thënë se pushteti i Kosovës nuk po i lexon mesazhet mirë nga administrata Biden.
“Ne kemi një president amerikan që jo vetëm e njeh Kosovën mirë, por edhe se është i lidhur emocionalisht me të. Po ashtu kemi një ambasador në Serbi e Kosovë, që janë pro asaj politike amerikane që është në interesin e Kosovës e shqiptarëve. E çfarë po bëjnë ne. Kemi qenë të heshtur e mbetemi të heshtur sa herë vijnë mesazhe të qarta nga presidenti Biden apo ish-ambasadori Kosnett”, ka thënë Beqaj.
Edhe
Skepticizëm për rezultate në takimin e ardhshëm Kurti-Vuçiq
Për situatën në Bosnjë-Hercegovinë, Beqaj ka thënë se me vite të tëra është përgatitur një skenar që ka të bëjë me tendencën të krijimit të shteteve etnike.
“Mendoj se politikbërja në Ballkan karakterizohet me një lloj guximi të mbrapshtë. Njëkohësisht politikbërja në Ballkan tek disa shtete, e disa kombe, përqendrohet më tepër në padrejtësi sesa në drejtësi. Mbi të gjitha mendoj se politikbërja në Ballkan, mjerisht, nuk e kupton realitetin e krijua, qoftë brenda atyre popujve e shteteve, qoftë nga faktori ndërkombëtar. Në këtë mishmash të faktorëve nuk mund të presim që Ballkani do të jetë oazë e paqes. Kryetari i Republika Srpskas, Dodik, deklaron se në këtë pranverë apo tjetrën, Republika Srpska nuk do të jetë më pjesë e Bosnjë-Hercegovinës. A e keni dëgjuar ndonjë reagim të BE-së, ndonjë reagim kundërshtues nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Do të thotë se me vite të tëra po përgatitet skenar që ka të bëjë tendencën, sipas mendimit tim, të krijimit të shteteve etnike”, ka thënë Beqaj.