Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, deklaroi se partia e tij e kishte paralajmëruar e para krizën energjetike në vend, dhe sipas tij, që nga shtatori i 2021-s janë bërë thirrje për veprim.
Beqa deklaroi në DESK-un e KTV-së se çmimi i faturave të energjisë elektrike ka qenë i papranueshëm dhe PDK-ja i ka ngritur dilema deri në Gjykatën Themelore.
“Kemi kërkuar që ta bëjmë një hetim parlamentar. Mendoj se kjo s’ka asgjë të keqe. Pozita duhet të jetë edhe më e zellshme pas aferës ballkanike për energji të ambasadorit (Martin Berishaj v.j.). Unë nuk e kuptoj pse pozita po frikësohet, ose s’po lejon të ndërtohet një komision i tillë”, deklaroi Beqa.
Beqa theksoi se PDK-ja do ta ruajë djersën e qytetarëve të vendit, që sipas tij, të mos lejojnë që pushteti ta keqpërdorë.
Ai potencoi se ndonëse partia në pushtet ka dalë pro themelimit të komisionit për hetimin e krizës energjetike, ende nuk e kanë një dokument zyrtar.