Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se shqiptarët nuk do ta harrojnë rolin vendimtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pavarësinë e Kosovës.
“Më lejoni të nënvizoj se ne e njohim rolin vendimtar që Shtetet e Bashkuara kanë për paqen në Ballkan e veçanërisht për Kosovën e lirë, të pavarur e të njohur botërisht. Ne e vlerësojmë, dhe nuk harrojmë. Në këtë kuptim ne i jemi pranë Shteteve të Bashkuara si partneri ynë strategjik, por dhe me vullnetin e përkushtimin për prosperitetin e të dy popujve tanë, ka thënë Begaj të enjten, në një ceremoni të organizuar nga Ambasada Amerikane në Tiranë për 247-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së.
Begaj po ashtu ka shprehur mirënjohjen për kontributin historik të SHBA-së në mbështetje të shqiptarëve.
“Angazhimi amerikan për integrimin euroatlantik të Shqipërisë dhe forcimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë, mbetet vendimtar për të sotmen dhe për të nesërmen e vendit tonë. Ky angazhim na detyron të jemi në lartësinë e investimit dhe të pritshmërive dhe ne jemi të kthjellët për rrugën që na duhet akoma të bëjmë në këtë drejtim”, ka thënë Begaj./tch
-
Begaj: Pa udhëheqjen amerikane, s’do të kishim një Kosovë të pavarur
-
Begaj: S’ka Kosovë të sigurt pa Shqipëri të qëndrueshme
-
Begaj: Marrëveshja Kosovë-Serbi me njohjen reciproke në qendër, garanci për sigurinë
-
Begaj: Kosova është faktor paqeje dhe stabiliteti
-
Begaj: Liria e Kosovës erdhi me luftën e UÇK-së dhe vendosmërinë e aleatëve