Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, bëri thirrje që Kosova dhe Serbia të respektojnë marrëveshjet për të cilat janë pajtuar. Ai nga Azerbajxhani, ku po zhvillon vizitë shtetërore me ftesë të homologut të tij, Ilham Aliyev, u shpreh se prosperiteti dhe jokonflikti duhet të jenë busulla e orientimit të marrëdhënieve bilaterale dhe rajonale.
Begaj ka shtuar tutje se stabiliteti është i domosdoshëm.
“Shpreha bindjen se stabiliteti rajonal në Ballkanin Perëndimor është element i domosdoshëm. Kosova dhe Serbia janë palë negociuese për zgjidhjen e çdo mosmarrëveshjeje dhe të ndërtimit të një fryme të re bashkëpunimi mes njëri-tjetrit. Respektimi i marrëveshjeve të dakordësuara nga palët si mes tyre dhe në forumet ndërkombëtare duhet të jetë pikë orientimi drejt paqes së qëndrueshme. Prosperiteti dhe jo konflikti duhet të jenë busulla e orientimit të mbarëvajtjes bilaterale dhe rajonale. Sa më shpejt të ndodhë diçka e tillë aq më dobiprurëse do të jetë për popujt tanë”, tha Begaj.
Duke folur për turizmin në Shqipëri dhe Azerbajxhan, Begaj ka theksuar se heqja e vizave është një mënyrë për të afruar popujt e të dyjave./ KP