Arbëri

Begaj: Kosova të koordinohet me partnerët për situatën në veri

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka deklaruar se karakteri strategjik i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kosovës ka një rol unik për stabilitetin, sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe perspektivën euroatlantike.

Pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Begaj u shpreh se për situatën e krijuar në veriun e Kosovës duhet koordinim më i ngushtë me vendet ndërkombëtare.

“Vlerësova se pavarësisht provokimeve për të tensionuar situatën në komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës, si dhe ndërhyrjeve hibride nga aktorë të tretë dashakeqës, duhet një koordinim më i ngushtë dhe më i mirë me partnerët tanë kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, për të gjitha veprimet e ndërmarra. Askush nuk mund të vërë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës si dhe të drejtën për të zbatuar ligjet dhe kushtetutën e vendit. Por, koordinimin me partnerët është i domosdoshëm. Në këtë aspekt vlerësova edhe e fundit të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për deeskalimin e situatës”, ka deklaruar Begaj.

Sipas presidentit të Shqipërisë, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është rruga e vetme drejt paqes dhe anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.