Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur me nderime të larta shtetërore nga krerët institucionalë të Shqipërisë. Në një konferencë për media me homologun e saj Osmani ka thënë se Kosova ka nevojë për Shqipërinë derisa e fajësoi Serbinë se po e acaron situatën në rajon vazhdimisht. E presidenti Bajram Begaj deklaroi se Kosovës në këto momente i duhet koordinim i ngushtë me Shtetet e Bashkuara e Bashkimin Evropian. Osmani ka folur edhe për ftohjen e marrëdhënieve ndërmjet dy kryeministrave duke thënë se angazhohet që ata t’i tejkalojnë mospajtimet.
Forcim të marrëdhënieve e thellim të bashkëpunimit mes Shqipërisë e Kosovës ka kërkuar presidentja Vjosa Osmani në vizitën e saj zyrtare në Tiranë.
Vizita e presidentit Osmani ka pasur frymë pozitive. Në një konferencë të përbashkët për media me homologun e saj Bajram Begaj, Osmani tha se Kosova ka nevojë për Shqipërinë.
“Përderisa politika shtetërore e Serbisë vazhdimisht po e sfidon integritetin territorial të Kosovës dhe angazhohet në agresion institucional kundër Kosovës në baza të rregullta, ne do të kemi nevojë për përkrahjen e Shqipërisë, e po ashtu për përkrahjen e aleatëve dhe partnerëve euroatlantikë dhe natyrisht që pajtohem me presidentin Begaj që koordinimi me miqtë dhe aleatët tanë është parakusht për suksesin tonë kudo e kurdo. Dialogu me Serbinë është duke vazhduar, por natyrisht që rruga e vetme që sjell paqen, stabilitetin afatgjatë në gjithë rajonin tonë është atëherë kur rezultati përfundimtar është njohja reciproke dhe ruajtja e integritetit territorial, sovranitetit, rendit kushtetues dhe funksionalitetit të brendshëm të Republikës së Kosovës”, tha Osmani.
Presidentja Osmani në konferencën për media ka folur edhe ftohjen e marrëdhënieve ndërmjet dy kryeministrave, Albin Kurti e Edi Rama, duke thënë se angazhohet që ata t’i tejkalojnë mospajtimet.
Për ftohjen e fajësoi Serbinë, derisa shprehu përkushtimin e saj t’u sqaruar të gjitha keqkuptimet mes shteteve.
“Nuk është situata në veri ajo që ka acaruar dialogun Kosovë-Serbi, është Serbia ajo që gjithnjë acaron situatën në rajonin tonë nëpërmjet sulmeve të njëpasnjëshme ndaj Kosovës. Nuk ka javë që kalon që dikush nga Serbia nuk gjuan me armë policët e Kosovës që janë në territorin e Republikës së Kosovës... Si presidente angazhohem që të tejkalojmë çdo lloj mospajtimi të momentit që ekziston, por nuk e shoh as si tragjike, as diçka që na pengon të ecim përpara në këtë qëllim të përbashkët, atë që ju e përmendet si diskutime apo acarim, tha Osmani.
E presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, tha se askush nuk mund ta vërë në pikëpyetje të drejtën e Kosovës për t’i respektuar ligjet e saj.
Por Begaj kujtoi koordinimin me ndërkombëtarët lidhur me kërkesat e Bashkimit Evropian për shtensionim.
“Por, koordinimi me partnerët është i domosdoshëm. Në këtë aspekt vlerësova edhe e fundit të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për deeskalimin e situatës. Gjithashtu nënvizova se dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe i mbështetur fuqimisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës rruga e vetme drejt paqes, normalizimit të marrëdhënieve si dhe anëtarësimit të Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë edhe atë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, tha Begaj.
Presidentja Osmani është pritur edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Në rrjetet sociale ajo ka shkruar se me Ramën pati “bisedë përmbajtjesore rreth aspiratës së përbashkët evropiane” të të dyja shteteve.
U shpreh po ashtu se duke punuar bashkë “mund të hapin rrugën për një të ardhme më të ndritshme dhe më të integruar”.
Për vizitën e Osmanit është deklaruar shkurt edhe kryeministri Rama.
“Me presidenten Vjosa Osmani, për të tashmen dhe të ardhmen e marrëdhënies së patjetërsueshme Kosovë-Shqipëri”, ka shkruar ai
Presidentja është pritur në një takim edhe nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.