Arbëri

“Bechtel Enkas” iu paguan fatura deri dy vjet pas përurimit të autostradës

Faturat që konsorciumi “Bechtel Enka” i ka dorëzuar janë paguar nga Qeveria deri në fund të vitit 2020, ani se përurimi i autostradës “Arbën Xhaferi” ishte bërë në maj të 2009-s. Kësisoj, të tilla janë paguar edhe nga dy qeveri që e kanë pasuar Qeverinë Haradinaj, në kohën e së cilës ishte firmosur jashtëligjshëm aneks-kontrata 44-milionëshe për punë shtesë – Qeveria Kurti I dhe Qeveria Hoti. Ligjshmërinë e pagesave nuk e kishte kontestuar ndokush. E, tek tash KOHA ka zbuluar se aneks-kontrata për punë shtesë ishte e jashtëligjshme, të cilën gjë të mërkurën e ka konfirmuar edhe KRPP-ja

Autostrada “Arbën Xhaferi” është përuruar më 29 maj 2019. Por faturat që konsorciumi “Bechtel Enka” i ka dorëzuar janë paguar nga ekzekutivi deri në fund të vitit 2020.

Kësisoj, të tilla janë paguar edhe nga dy qeveri që e kanë pasuar Qeverinë Haradinaj, në kohën e së cilës ishte firmosur jashtëligjshëm aneks-kontrata 44-milionëshe për punë shtesë – Qeveria Kurti I dhe Qeveria Hoti.

E, përderisa pagesat janë bërë, një pjesë e madhe e zyrtarëve të Qeverisë aktuale, por edhe zyrtarë të administratës në Ministrinë e Infrastrukturës kanë thënë se nuk kanë qenë në dijeni që ekzistonte aneks-kontrata derisa për të këtë javë ka raportuar KOHA.

Askush nga ta nuk ka ngritur dyshime se për çfarë po i bëheshin pagesat “Bechtel Enkas” pas përfundimit të punëve.

KOHA ka siguruar një tabelë të pagesave për ketë kosorcium, të ekzekutuara gjatë vitit 2020.

Pagesa e parë ishte bërë më 14 shkurt, 12 ditë pasi ishte votuar Qeveria Kurti I. Shuma e kësaj pagese ishte 4,902,113.62 euro.

Një muaj e gjysmë pas ishin bërë 5 pagesa të ndryshme, e vlera ishte mbi 3 milionë euro.

Më 10 korrik të atij viti, me Kosovën udhëhiqte Qeveria e drejtuar nga LDK-ja dhe kryeministër ishte Avdullah Hoti.

“Bechtel Enkes” i ishin paguar 787,493.20 mijë euro.

Dy pagesa të tjera ishin bërë po ashtu gjatë kësaj qeverisjeje më datë 5 tetor.

KOHA ka provuar të kontaktojë stafin politik që ka shërbyer në vitin 2020 në këtë ministri, por nuk kanë dashur të deklarohen me arsyetimin se nuk kanë qenë në dijeni dhe pagesat ishin detyrë e zyrtarëve të administratës.

Atëkohë sekretar në Ministrinë e Infrastrukturës ishte Betim Reçica. I telefonuar nga KOHA, ai ka mohuar që në periudhën e tij në këtë pozitë janë bërë këto pagesa.

“Cilat pagesa? Ti a po e sheh se as vet s’po e di çfarë teme je tu dashtë me ba”, është kundërpërgjigjur ai.

Pasi KOHA ka raportuar që ekziston një aneks i tillë, edhe vetë zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës kanë pasur vështirësi ta gjejnë se ku është ky dokument.

“Komisioni për pranimin dhe dorëzimin e detyrës nuk ka evidentuar asnjë dokument që ka të bëjë me autostradën ‘Arben Xhaferi’. Për sigurimin e informatave të tilla ju lutem që përmes Sekretarit të ju drejtoheni Njësisë Implementuese të Projektit, gjegjësisht udhëheqësit te njësisë, z. Ramë Qupevës”, thuhet në përgjigjën e Zyrës së Prokurimit të kësaj ministrie.

E, edhe ish-sekretari Reçica fillimisht ka thënë që një aneks i tillë nuk ekziston.

“Betim Reçica nuk ka nënshkru asnjë aneks. Sot po e di që ekziston një i tillë”, ka thënë ai.

Më pas KOHA ia ka dërguar pjesën e dokumentit ku është nënshkrimi i sekretarit të përgjithshëm, pozitë të cilën e kishte mbajtur atëkohë Reçica.

“Pse po ma dërgon veç një faqe të dokumentit. Dërgoma komplet. E paske përzi. Kjo është tjetër send”, ka thënë ai në telefonatën e dytë.

Por para se t’ia përcjellë KOHA dokumentin e plotë, ai ka telefonuar sërish. Kësaj radhe me pretendime se dokumenti është i manipuluar.

“Ky dokument manipulativ koka. Unë nuk e di çka ke ba ti. Kjo koka montazhë. Këtu paska vend për falsifikim. Ishalla so falsifikim që e ke ba ti. Se nëse është që ky far montimi dikush duhet me shku në burg”, ka thënë ai.

KOHA ia ka ofruar mundësinë që ta shohë kopjen e aneks-kontratës së plotë, por ai ka refuzuar.

“Unë nuk të komentoj ty kurgja. Komentoi ti me të tanën, unë i grahi me timen”, ka thënë ai.

Pas dyshimeve që Reçica ka ngritur se dokumenti është jo i plotë dhe i manipuluar, KOHA e ka kontaktuar Ministrinë e Infrastrukturës, institucion ky që ka konfirmuar se ky aneks është i arkivuar.

Në pjesën që mban vulën e protokollit, saktësohet se dokumenti është prej dy faqesh, aq sa edhe i është thënë Reçicës.

Kjo aneks-kontratë, përveç Reçicës, është nënshkruar edhe nga ish-ministri Pal Lekaj e nga zyrtari Ramë Qupeva. Lekaj sërish nuk është përgjigjur e Qupeva është telefonuar, por ka pyetur nëse biseda po incizohej dhe e ka mbyllur bisedën kur e ka kuptuar që është telefonatë zyrtare.

Në këtë aneks-kontratë mungon nënshkrimi i zyrtarit të prokurimit, ani se nënshkrimi i tij përbën kusht ligjor.

KOHA e ka pyetur për këtë kontratë Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik. Në këtë institucion kanë konfirmuar që nëse kontrata s’e ka nënshkrimin e këtij zyrtari, është e pazbatueshme. Këtë e kanë elaboruar përmes një përgjigjeje të gjatë.

“Konform nenit 87, paragrafit 2, nën paragrafit 2.8 të Ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-237, Ligjin Nr. 05/L-068 dhe Ligjin Nr. 05/L-092, duke u bazuar në pyetjen e parashtruar, KRPP sqaron paragrafin 1 dhe 2 të nenit 26 të LPP-së”, ka shpjeguar bazën ligjore KRPP-ja.

“Përveç siç përcaktohet në paragrafin 2. dhe 3. të këtij neni, zyrtari përgjegjës i prokurimit i një autoriteti kontraktues është i vetmi person i autorizuar që të lidhë ose të nënshkruajë një kontratë publike në emër të autoritetit të tillë kontraktues. Nënshkrimi dokumenton se kontrata është dhënë në pajtueshmëri me ligjin aktual...”, thuhet në dispozitën ligjore së cilës i është referuar KRPP-ja.

Me qëllim që ta sqarojnë paragrafin e parë dhe të eliminojnë mundësinë e përjashtimeve në këtë rast i janë referuar edhe paragrafit të dytë të nenit 26.

“Përveç nënshkrimit të zyrtarit përgjegjës të prokurimit të përmendur në paragrafin 1. të këtij neni, kontratat me vlera të mëdha të autoriteteve kontraktuese duhet që gjithashtu të nënshkruhen në emër të autoritetit kontraktues nga Zyrtari Kryesor Administrativ, si dhe Ministri ose autoriteti tjetër përkatës publik. Nga kjo rregull përjashtohet Presidenti, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri. Nënshkrimet e përcaktuara sipas këtij Neni konfirmojnë dhe pranojnë të drejtat dhe detyrimet e përcaktuara në kontratë. Kontratat që nuk nënshkruhen në pajtim me paragrafin 1. dhe 2. të këtij neni janë të pazbatueshme”, thuhet në këtë dispozitë.

Mbi këtë bazë e kanë dhënë opinionin.

“Në përputhje me paragrafin 1 dhe 2 të nenit 26 të këtij ligji, kontratat publike me vlerë të madhe siç përcaktohet në paragrafin 1 të nenit 19 të këtij ligji, përveç Zyrtarit Përgjegjës të Prokurimit duhet të nënshkruhen në emër të autoritetit kontraktues edhe nga Zyrtari Kryesor Administrativ, që nënkupton Sekretarin e Përgjithshëm në një Ministri, si dhe nga Ministri. Nënshkrimet e përcaktuara sipas këtij neni, konfirmojnë dhe pranojnë të drejtat dhe detyrimet e përcaktuara në kontratë. Kontratat që NUK nënshkruhen në pajtim me paragrafin 1. dhe 2. të këtij neni janë të pazbatueshme”, thuhet në opinionin e lëshuar nga Departamenti i Rregullave i KRPP-së.​

Kjo instancë është e vetmja që mund të lëshojë interpretim zyrtar mbi Ligjin e prokurimit publik.

Aneks-kontrata në vlerë të 44 milionë eurove është përmendur nga një dëshmitar gjatë dhënies se deklaratës së tij për rastin e pagesës së 53 milionë eurove, për çka në fillim të muajit është ngritur aktakuzë.

Ndonëse si deklaratë është dhënë në organin e akuzës, ende nga ky institucion nuk është dhënë ndonjë informatë për fillimin e ndonjë hetimi.

Në aktakuzë këtij aneksi nuk i është dhënë ndonjë peshë. Është futur tek pjesa ku dëshmitari ka folur për të, por që hetuesia nuk ka ngritur ndonjë dyshim për parregullsi eventuale.