Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

BE: Vendimi i Mitrovicës së Veriut për ndërtesën komunale, në kundërshtim me përpjekjet për shtensionim

Bashkimi Evropian ka thënë se vendimi i Komunës së Mitrovicës së Veriut, për ta kërkuar lirimin e një ndërtese komunale nga personat që punojnë për administratën e Serbisë, është në kundërshtim me përpjekjet për deeskalimin e situatës dhe uljen e tensioneve në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

Më 22 gusht, autoritetet lokale në Mitrovicë të Veriut, i dorëzuan nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiq, një raport ku thuhet se institucionet serbe duhet ta “lirojnë” objektin e tyre brenda tri ditësh, shkruan Radio Evropa e Lirë.

“Jemi të shqetësuar për ndikimet në situatën e sigurisë nga vendimet e fundit të administratës së Komunës së Mitrovicës së Veriut për përdorimin e hapësirës dhe ndërtesave publike dhe komunale, që, ndër të tjera, kërkojnë nga subjektet e drejtuara nga Serbia të lirojnë objektet e tyre, nëse nuk ofrojnë dokumentacionin e kërkuar brenda një afati të shkurtër”, thuhet në një deklaratë për media të zëdhënësit të BE-së, Peter Stano të enjten.

Stano ka thënë se “ky vendim bie ndesh me përpjekjet e vazhdueshme për shtensionim në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Ai ka përsëritur thirrjet për “bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë për të gjitha vendimet që ndikojnë në situatën fragjile të sigurisë në veri të Kosovës dhe që çështjet të adresohen brenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”.

“Rasti me këtë vendim nuk ka qenë i tillë. Çështja e strukturave të udhëhequra nga Serbia duhet të adresohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe duhet të zgjidhet në kontekstin e themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe”, ka thënë Stano.

Edhe BE-ja u del në mbrojtje strukturave ilegale të Serbisë në Mitrovicën e Veriut Arbëri BE-ja u del në mbrojtje strukturave ilegale të Serbisë në Mitrovicën e Veriut

Stano ka përsëritur po ashtu qëndrimin e BE-së se zgjedhjet komunale në veri, të mbajtura më herët gjatë vitit, nuk kanë dhenë zgjidhje afatgjate. Ai e ka cilësuar të rëndësishme organizimin sa më të shpejt të zgjedhjeve të reja lokale “në të cilat serbët lokalë do të marrin pjesë pa parakushte”.

Në ndërtesën e kontestuar janë të vendosura katër institucione që financohen nga Qeveria e Serbisë: Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Qendra për Punë Sociale nga Vushtrria dhe Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës.

KOHA ka kërkuar qëndrim edhe nga Komuna e Mitrovicës së Veriut për këtë deklaratë të Bashkimit Evropian. Sapo të marrë përgjigje, artikulli do të përditësohet.