Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka refuzuar që të përgjigjet në pyetjen e gazetarëve se kush i ka sulmuar ushtarët e KFOR-it më 29 maj në Zveçan, në veri të Kosovës, por tha se përgjegjëse për dhunën në veri janë Kosova dhe Serbia.
Gjatë një konference për media, Stano, duke iu përgjigjur pyetjes se pse shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, në deklaratën e tij, përmes së cilës ka dënuar dhunën në veri të Kosovës, nuk ka folur lidhur me atë se kush i ka sulmuar ushtarët e KFOR-it, Stano tha: “Përfaqësuesi i lartë [Josep Borrell] është përfaqësues për politikë të jashtme dhe siguri, dhe ai nuk është aty për të konstatuar se kush, kë e ka sulmuar. Ai ka rol për të siguruar që gjithçka të ndërmerret për të ulur tensionet dhe qetësuar situatën. Prandaj, edhe ai po angazhohet për të ulur tensionet. Kjo situatë nuk ka ardhur vetvetiu, por është pasojë e rrethanave dhe zhvillimeve për të cilat janë përgjegjëse të dyja palët”.
Gjatë përleshjeve midis protestuesve serbë dhe trupave të KFOR-it, janë plagosur 30 ushtarë ndërkombëtarë, tre prej të cilëve kanë marrë plagë nga armët e zjarrit.
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë se dhuna e shkaktuar të hënën në Zveçan nga “turma agresive” ka qenë “e paprovokuar”.
Një ditë pas kësaj ngjarjeje, Borrell kërkoi nga Kosova që “menjëherë dhe pa kushte” të shtensionojë situatën.
“Përshkallëzimin po e shohim që nga e premtja [26 maj], prandaj edhe Borrell dhe shtetet anëtare e kanë dënuar dhunën dhe kanë ftuar për uljen e tensioneve. U kanë thënë të dyja palëve”, tha Stano. /REL
-
KFOR-i fton Kosovën e Serbinë të marrin përgjegjësi për situatën në veri
-
Borrelli kërkon depërshkallëzim pa kushte të situatës në veri
-
Rutte: NATO-ja pret nga Beogradi përcaktimin e përgjegjësinë për sulmin në Banjskë
-
BE: Serbia me hapa të pamjaftueshëm ndaj përgjegjësve për sulmet në veri të Kosovës
-
BE-ja kërkon të dënohen përgjegjësit e sulmit në Banjskë